Dramë në ajër, avioni me 200 pasagjerë në bord mbetet 10 minuta pa pilot

- Bota Sot

Dramë në ajër, avioni me 200 pasagjerë në bord mbetet 10 minuta pa pilot

Një incident i rëndë ndodhi në një fluturim të Lufthansës në shkurt kur bashkëpiloti i avionit Airbus A321 humbi ndjenjat teksa ishte vetëm në kabinën e pilotit, duke bërë që fluturimi të mbetej pa një pilot aktiv për rreth 10 minuta.

Sipas raportit përfundimtar të autoriteteve spanjolle të publikuar të enjten Airbus A321 po operonte në linjën Frankfurt-Sevilje me mbi 200 pasagjerë në bord.

Incidenti ndodhi kur avioni kishte hyrë në hapësirën ajrore spanjolle dhe ishte afërsisht 30 minuta larg destinacionit të tij. Kapiteni doli përkohësisht nga kabina e pilotit për arsye personale, pasi kishte përcaktuar se bashkëpiloti i tij ishte në gjendje të mirë.

Kur u kthye tetë minuta më vonë, e gjeti derën e kabinës të mbyllur dhe bashkëpilotin pa ndjenja.

Ai u përpoq të fuste fjalëkalimin pesë herë, ndërsa një asistente fluturimi u përpoq të komunikonte nëpërmjet interfonit, por pa sukses.

Në fund, mekanizmi i aksesit emergjent u aktivizua dhe, pak para se të skadonte kohëmatësi përkatës, bashkëpiloti rifitoi pjesërisht vetëdijen dhe hapi derën.

Sipas raportit, bashkëpiloti 38-vjeçar ishte “i zbehtë, i djersitur dhe kishte lëvizje të pazakonta”.

Kryepiloti menjëherë kërkoi ndihmë, ndërsa ekuipazhi i kabinës dhe një mjek në bordin e avionit ofruan ndihmën e parë dhe kapiteni vendosi ta devijonte fluturimin për në Madrid.

Pas uljes, bashkëpiloti u dërgua në spital. Shkaku i “paaftësisë së papritur dhe të rëndë” të pilotit ishte një krizë epileptike, për shkak të një çrregullimi neurologjik, siç raportohet nga ekspertët.

Autoriteti spanjoll i Aviacionit Civil thekson në raportin e tij se gjendja në fjalë është jashtëzakonisht e vështirë për t’u diagnostikuar, përveç nëse piloti kishte shfaqur simptoma në një kontroll të mëparshëm mjekësor.

Si një masë kryesore parandaluese, studiuesit sugjerojnë që Agjencia Evropiane e Sigurisë së Aviacionit (EASA) të informojë linjat ajrore që të shqyrtojnë rreziqet që lindin kur vetëm një pilot mbetet në kabinën e pilotit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot