Luhet për Evropë, baraz dhe mbijetesë – sot zhvillohen të gjitha përballjet e xhiros së 35-të

- Bota Sot

Luhet për Evropë, baraz dhe mbijetesë – sot zhvillohen të gjitha përballjet e xhiros së 35-të

Sot (e shtunë) është planifikuar të zhvillohen të gjitha ndeshjet e vlefshme për xhiron e 35-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Superliga e Kosovës po shkon drejt fundit pasi sot zhvillohet xhiro e parafundit dhe garat është ende shumë e hapur dhe e zjarrtë për një vend që dërgon në Evropë, për pozitën e barazhit dhe për mbijetesë.

Në këtë kontekst, ndeshja mes Malishevës dhe Suharekës mund të jetë më interesantja, pasi vendasit synojnë të bëjnë thuajse hapin final për të siguruar pozitën e tretë dhe Evropën, teksa mysafirët me një fitore do të shpresonin shumë të kapnin pozitën e barazhit.

Po kaq interesant është situata edhe në ndeshjen mes Dukagjinit dhe Ferizajt, ku klinasit synojnë fitore për të siguruar thuajse qind për qind mbijetesën, ndërsa ferizajasit duan tri pikët për të pritur pastaj gabimin e Malishevës për t’ia rrëmbyer pozitën e tretë.

Prishtina do të synoj vetëm fitoren në udhëtim te Feronikeli ’74 pasi tri pikët do t’ia siguronin përfundimisht mbijetesën, ndërsa mysafirët tash e disa javë veçse kanë rënë matematikisht nga kategoria.

Sot zhvillohet edhe derbi i madh i Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës, ku fitorja është imperativ vetëm për vendasit e kuq pasi janë ende në garë për pozitën e tretë që i dërgon në Evropë, ndërsa bardhekaltrit tashmë janë shpallur kampion të Kosovës këtë edicion.

Në ndeshjen e fundit, por jo nga rëndësia, Llapi do të kërkoj pikë jetike në udhëtim te Ballkani, i cili ka siguruar pozitën e dytë, ndërsa për llapjanët një humbje do ta rrezikonte shumë qëndrimin e tyre në elitë.

Të gjitha ndeshjet është paraparë të fillojnë nga ora 16:00. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot