Sezoni katastrofik i Milanit

- Bota Sot

Sezoni katastrofik i Milanit

Revolucioni i Milanit pas këtij sezoni të vështirë do të përfshijë trajnerin, lojtarët, por edhe drejtuesit. Tema e drejtorit të ri sportiv është e njohur prej kohësh, ende pa zgjidhje, por vëmendja po shtohet edhe për rolin e Zlatan Ibrahimoviç.

Që nga dhjetori i vitit 2023, Zlatan është bërë pjesë e strukturës drejtuese të Milanit si “Senior Advisor” i “RedBird” dhe pjesë e “Senior Management” të klubit, duke u kthyer menjëherë në një figurë referimi, jo vetëm në aspektin imazherik, por edhe në vendimmarrjen operative.

Praktikisht, një super konsulent me mandat të drejtpërdrejtë nga Gerry Cardinale, që ka bashkëpunuar ngushtë me Furlani dhe Moncada. Megjithatë, zhgënjimi i pronarit amerikan për këtë sezon të dështuar prek edhe Zlatan.

Cardinale vazhdon të ketë besim të madh tek ai, por me ardhjen e një drejtori të ri sportiv, roli i Ibrahimovic mund të ndryshojë, veçanërisht në lidhje me vendimet në merkato. Suedezi mund të bëjë një hap prapa në këtë aspekt.

Sidoqoftë, sipas “Gazzetta dello Sport”, fati i Ibrahimovic nuk do të jetë si ai i Maldinit dhe Massara. Ai nuk do të largohet, por mund të kalojë në një rol më institucional, më afër ambasadorit të klubit, siç u pa edhe në ditët para finales së Kupës së Italisë (angazhime me sponsorët dhe takimi me presidentin Mattarella).

Vetë Zlatan, përpara ndeshjes me Feyenoordin në Champions, kishte deklaruar për Cardinale: “Të jep hapësirë të jesh vetvetja, por pret rezultate në këmbim”. Pikërisht rezultatet munguan këtë sezon, prandaj edhe pozicioni i tij është tani pjesë e analizës për rindërtimin e Milanit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot