Fatet e titullit

- Bota Sot

Fatet e titullit

Seria A është futur në kilometrat e fundit, ku gara mes Napolit dhe Interit është bërë e ethshme për titullin kampion. Pas ngjarjeve në javën e fundit që favorizuan ringjalljen e shpresave për Interin, kjo e së dielës është një javë realisht nga më të rëndësishmet, që mund të rezultojë vendimtare për fatet e Serisë A.

Napoli nuk e mbajti dot ritmin me Xhenoan dhe barazoi 2-2, duke bërë që zikaltrit ta shohin veten vetëm -1 pikë nga kreu dhe me moral të lartë për një përmbysje të mundshme.

INTERI- Zikaltrit vijnë në këtë moment të sezonit të karikuar dhe të motivuar, sidomos pas arritjes së finales së Ligës së Kampionëve. Simone Inzagi ka bërë rrotacion në dy sfidat me Veronën dhe Torinon, por çuditërisht e ka parë veten në garën për Serinë A. Në “San Siro” do të prezantohet Lacio, një ekip i vështirë dhe me objektiva të qarta.

Bardhekaltrit kërkojnë patjetër që të marrin pjesë në Ligën e Kampionëve dhe nuk janë skuadra më e lehtë e mundshme në këto momente. Barazimi në ekstrem me Juven i mban aty lart dhe duan patjetër që të bëjnë llogaritë e tyre. Inzagi dëshiron patjetër që ta kalojë këtë rival duke rikthyer në fushën e lojës lojtarët e rëndësishëm, të cilët pushuan në sfidën e fundit. Ai e di shumë mirë që Napoli në distancë mund të vuajë me Parmën dhe ndoshta mund të ndodhë parakalimi i madh, ose edhe një barazim me pikë nuk do të ishte keq.

Kështu, Zomer do të rikthehet në portë, ndërsa përpara tij Pavar dhe Açerbi. Bastoni mund të pushojë për t’i lënë vendin De Vrajit. Në mesfushë Dumfris do të marrë një rol protagonisti, së bashku me Barelën, Zielinskin dhe Çalhanoglunë. Dimarko do të jetë majtas, ndërsa në sulm Turam është titullar dhe përkrah tij do të jetë një mes Korreas dhe Taremit.

NAPOLI- Morali nuk është i mirë, por Antonio Konte është nga ata që nuk dorëzohet lehtë dhe do të ketë prekur kordat e duhura që skuadra të reagojë në sfidën e radhës me Parmën. Këta të fundit duan pikë për të siguruar zyrtarisht mbijetesën në Serinë A, sepse rivalët e tjerë mund të përfitojnë gjatë kësaj jave. Me Kristian Kivun kanë arritur të marrin rezultate pozitive sidomos ndaj ekipeve të mëdha.

Kështu që për Napolin kjo është kthesa më e fortë në garën drejt titullit kampion. Me shumë mundësi Lobotka nuk do të rikuperohet, ndërsa trajneri kërkon maksimumin nga lojtarët senatorë, të cilët i ka përgatitur për këtë betejë 90-minutëshe, e cila mund të thotë shumë për verdiktin final.



Lexoni të gjitha në Bota Sot