Takimi i Papës Leoni XIV me Zelenskin pas ceremonisë së fronëzimit: Ukraina martire pret një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme

- Bota Sot

Takimi i Papës Leoni XIV me Zelenskin pas ceremonisë së fronëzimit: Ukraina martire pret një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme

Vatikan njoftoi se Papa i ri, Leoni XIV, u takua me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pak pas meshës së fronëzimit si kreu i ri i Kishës Katolike Romake.

Në lutjen e tij në fund të ceremonisë, Papa u shpreh qartë për luftën në Ukrainë, duke theksuar se “Ukraina martire pret më në fund negociata për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.

Duke iu drejtuar mijëra besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit, Papa i ri paralajmëroi për rrezikun e margjinalizimit të të varfërve dhe ngritjes së autokracisë.

Ndër të ftuarit e nivelit të lartë që morën pjesë në ceremoni ishin presidenti Zelensky, nënpresidenti i SHBA-së J.D. Vance dhe ministri i Jashtëm amerikan Marco Rubio. Papa u pa teksa shkëmbeu shtrëngime duarsh me Zelenskin dhe përfaqësues të tjerë zyrtarë.

Gjatë meshës, ai kritikoi ashpër “fanatizmin, dhunën, paragjykimet, frikën ndaj ndryshueshmërisë dhe modelin ekonomik që shteron burimet e Tokës dhe lë jashtë të varfrit”.

Ai premtoi gjithashtu se do ta udhëheqë Kishën “pa u dorëzuar kurrë përballë tundimit të autokracisë”.

Mijëra besimtarë ndoqën me respekt ceremoninë e dorëzimit të simboleve papale, gjatë së cilës Papa bekoi turmën dhe bëri një thirrje të fuqishme për unitet.

Para meshës, shpërthyen brohoritje entuziaste kur Papa u shfaq në makinën papale (popemobile) dhe përshkoi Sheshin e Shën Pjetrit, duke ndjekur Via della Conciliazione deri në lumin Tiber dhe përsëri mbrapsht.

“Erdha enkas për të parë Papën”

Atmosfera në shesh ishte entuziaste. Michelle nga Gjermania tha për BBC: “Erdha enkas për të parë Papën. Mbërrita dje në mëngjes dhe do të largohem për disa orë, nuk kam shumë kohë. Është çmenduri, ka aq shumë njerëz. Doja ta shihja”.

Mes dhjetëra mijëra vetave në turmë kishte shumë turistë përveç pelegrinëve katolikë që dëshironin të përjetonin nga afër këtë moment historik.

Joe nga Missouri, SHBA, tha: “Jemi me pushime, por kjo ishte një rastësi perfekte. Erdhi për të parë meshën e fronëzimit të Papës. Është shumë e veçantë. Jam i lumtur që erdhëm herët”. Ai shtoi se ndjeu “krenari të veçantë” kur pa Papën e parë nga SHBA. “Ishte një surprizë. Do të jetë një Papë i mrekullueshëm. Nuk jam më katolik, por jam rritur si i tillë, dhe ajo që po ndodh është frymëzuese, pavarësisht nga doktrina e krishterë që ndjek”.

Ndër të pranishmit ishte edhe Pia, një profesoreshë filozofie nga Kili, e cila jep mësim në Universitetin Papnor të Kryqit të Shenjtë në Romë. Ajo tha për BBC se ndjeu “shpresë të re për Kishën”.

Pia theksoi se ndër fjalët e para të Papës pas zgjedhjes së tij ishin “Paqja qoftë me ju”, fjalët e Jezusit, dhe më pas shtoi “Mos kini frikë”. “Ai e di çfarë i duhet botës dhe Kishës. Një Kishë që predikon shpresë, që predikon paqe. Shumë njerëz presin këtë mesazh”, tha ajo.

Simbolet e pushtetit papnor

Fronëzimi zyrtar i Papës pasoi meshën, me vendosjen e paliumit – një shirit i bardhë leshi – mbi supe, i cili u fiksua me tre gjilpëra që simbolizojnë gozhdët e Kryqit.

Më pas, Kardinali Luis Antonio Tagle nga Filipinet vendosi në gishtin e Papës Unazën e Peshkatarit, simbol i detyrës papale, ku është gdhendur imazhi i Shën Pjetrit.

Papa Leoni përfundoi ceremoninë duke bekuar turmën me Ungjillin e Shenjtë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot