Manchester United do të përpiqet ta shpëtojë sezonin të mërkurën, kur do të luajë finalen e “Europa League” kundër Tottenham Hotspur në Bilbao.
Kjo do të jetë mundësia e vetme për të fituar një titull dhe, më së shumti, për t’u kualifikuar në Champions League sezonin e ardhshëm, pas një sezoni katastrofik në Premier League.
“Nuk ka qenë një sezon i madh, mendoj se është një akt mirësie ta them këtë. Kur nuk ka stabilitet në klub, kjo duket lehtë, – tha David Beckham për “The Athletic”. – Amorim është një trajner i ri, që ka arritur suksese me Sporting. Ka eksperiencë të gjerë për moshën e tij, ndaj mendoj se do të bëjë ndryshimet e nevojshme.
Mendoj se duhet ta mbështesim dhe të blejmë lojtarët që ai dëshiron, por nuk jam i sigurt sa e realizueshme është kjo.
Nuk flas shumë me Jim Ratcliffe, vetëm rastësisht. Ruben ka nevojë për mbështetje, t’i sillen lojtarët e duhur për filozofinë e tij. Ai po përpiqet tashmë, por sapo të ketë lojtarët që dëshiron, mendoj se do të shohim diçka ndryshe”.
Beckham, i cili mbushi 50 vjeç pak ditë më parë, u shpreh edhe kundër shitjes së kapitenit të skuadrës, Bruno Fernandes: “Do të doja të mendoja se kapiteni ynë nuk është në shitje. Ai ka qenë i jashtëzakonshëm.
Ndonjëherë kemi qenë shumë kritikë ndaj disa lojtarëve të Manchester United, por kur kemi pasur nevojë që ata të dalin në pah, e kanë bërë. Gjithashtu nuk më pëlqen ideja e shitjes së lojtarëve të rinj, që janë rritur te Manchester United. Nuk duhet t’i shesim vetëm për arsye ekonomike”.