Valencia është kundër “Netflix”. Klubi spanjoll i ka shkruar platformës së njohur televizive pas transmetimit të dokumentarit “Baila Vini”, në të cilin protagonist është lojtari i Real Madridit, Vinicius Jr.
Në një pjesë të dokumentarit në fjalë, tifozët e Valencias përshkruhen si racistë, duke përdorur imazhe nga ndeshja në “Mestalla” kundër Real Madridit më 21 maj 2023, ajo e zemërimit të Vinicius, i cili u ndëshkua me karton të kuq për sulm ndaj Hugo Duro.
Valencia denoncon “manipulimin e imazheve”, veçanërisht një skenë ku fjala “tonto” (bu&alla), e thirrur nga një pjesë e publikut, në ekran përkthehet si “mono” (majmun), term që në këtë rast ka kuptim racist.
Sipas Valencias, ky dokumentar nuk pasqyron realitetin e ngjarjeve dhe dëmton rëndë imazhin e klubit. Përballë kësaj paraqitjeje që konsiderohet shpifëse, klubi ka nxjerrë një komunikatë:
“Në përgjigje të padrejtësive dhe pavërtetësive kundër tifozërisë së Valencia CF, klubi ka dërguar një kërkesë me shkrim tek producentët e dokumentarit lidhur me paraqitjen e tyre të ngjarjeve në ‘Mestalla’, e cila nuk korrespondon me realitetin. E vërteta dhe respekti për tifozët tanë duhet të mbizotërojnë. Valencia CF rezervon të drejtën për të ndërmarrë masa ligjore sipas situatës”.