Son i vendosur për trofeun e parë me Tottenham

- Bota Sot

Son i vendosur për trofeun e parë me Tottenham

Kapiteni i Tottenham Hotspur, Son Heung-Min, është i vendosur të shkruajë histori me klubin londinez në finalen e Europa League kundër Manchester United, që zhvillohet të mërkurën në Bilbao.

Son, në konferencën e fundit për shtyp para sfidës vendimtare, ka thënë se kjo ndeshje është mundësia që ai dhe skuadra nuk duhet ta humbasin.

“Finalja është finale, dhe duhet të fokusohemi te vetja jonë e të japim më të mirën. Do të ishte diçka shumë e veçantë dhe një moment historik. Jam këtu tashmë dhjetë vjet dhe dua ta fitoj një trofe, gjë që askush s’e ka bërë që kur jam këtu”, ka thënë ai.

Son ka qenë pjesë e Tottenham edhe në dy finale të mëdha të humbura: Champions League në vitin 2019 ndaj Liverpool dhe EFL Cup në vitin 2021 kundër Manchester City. Ylli koreanojugor është shprehur mirënjohës për përkrahjen që i jepet nga tifozët në vendlindje, të cilët do të ndjekin finalen në orar ndryshe nga Evropa. 

“E vlerësoj jashtëzakonisht shumë që më përkrahin herët në mëngjes ose vonë natën. Janë gjithmonë aty dhe dua t’u jap diçka në këmbim: buzëqeshjen time, një trofe dhe një moment historik”, ka thënë Son.

Sipas Son, një trofe mund të jetë hapi i parë drejt një epoke të re për Tottenham.

Gjithmonë themi që hapi i parë është më i vështiri. Nëse fitojmë këtë trofe, mund të ndryshojmë mentalitetin dhe të garojmë për më shumë. E ardhmja është e panjohur: ndoshta vitin tjetër do të jemi në Champions League. Por ky shans që kemi tani është real”, ka thënë ai.

I pyetur për paraqitjet zhgënjyese në Premier League këtë sezon, kapiteni i "Spurs" ka theksuar se fokusi duhet të jetë vetëm te finalja.

“Pozita jonë në Premier League është e papranueshme. Por tani nuk është koha të mendojmë për këtë. Për të arritur në finale, duhet të kesh mposhtur ekipe të forta dhe të kesh besim. Me një trofe, mund ta ndryshojmë të gjithë sezonin tonë negativ”, është shprehur ai. 

Son ka siguruar se është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe i gatshëm për sfidën më të madhe të sezonit. 



Lexoni të gjitha në Bota Sot