Fjalia unike që shpjegon madhështinë e Kevin De Bruynes

- Bota Sot

Fjalia unike që shpjegon madhështinë e Kevin De Bruynes

Me nderimin e Kevin De Bruyne përpara publikut të vet në ndeshjen e fundit në “Etihad” si lojtar i Manchester City, u mbyll një epokë. Belgu largohet nga “sky blues” si një nga futbollistët më të mëdhenj në historinë e klubit, por jo vetëm.

Për Pep Guardiolën, ka qenë i dyti, vetëm pas Lionel Messit, për cilësi dhe saktësi në pasime. Për Premier League, i dyti pas Ryan Giggs për asistime: 119 për De Bruyne, 162 për uellsianin, me një diferencë prej 348 ndeshjesh më pak, afërsisht sa 10 sezone.

Ai është gjithashtu lojtari më i shpejtë në histori që ka arritur kuotën e 50 asistimeve në kampionatin anglez dhe i vetmi që ka regjistruar 20 asistime në një sezon të vetëm (2019/20). Belgu ka shumë gjasa të largohet nga Premier League me rekordin e dy çmimeve “Lojtari i sezonit”, krahas emrave të tillë si Henry, Cristiano Ronaldo dhe Vidic, pa përmendur titujt e shumtë me Manchester City.

Dhe të mendosh që në vitin 2015, kur klubi anglez e bleu nga Wolfsburg për 76 milionë euro, shuma dukej e ekzagjeruar. Aq më tepër që më parë nuk kishte arritur të linte gjurmë në një klub anglez, te Chelsea, ku për hir të së vërtetës edhe emra si Lukaku apo Salah patën vështirësi.

Në “Etihad”, falë edhe Pep Guardiolës, që e ndryshoi pozicionin e tij, duke e kthyer në një “mezzala” të rrallë, De Bruyne u bë një nga më të mirët në botë. “Një nga lojtarët më të mirë që kam trajnuar ndonjëherë”, – ka deklaruar tekniku katalanas. Një lojtar unik për shumëkënd.

I pyetur se kush mund të jetë “De Bruyne i ardhshëm”, Jamie Redknapp, ish-mesfushor i Liverpool-it dhe tani komentator i “Sky Sports”, u përgjigj: “Nuk ekziston. Belgu është si një njëbrirësh, mos u lodhni as ta kërkoni një tjetër si ai”. Një përshkrim që ndoshta e përmbledh më së miri madhështinë e Kevin De Bruyne.



Lexoni të gjitha në Bota Sot