Interi, i tërbuar me vendimet e arbitrave kundër tij.

- Bota Sot

Interi, i tërbuar me vendimet e arbitrave kundër tij.

Heshtje, zemërim, më pas fokusi te ndeshja e radhës në kampionat ndaj Comos. Interi ndjen se ka humbur shanset e fundit për titullin në barazimin 2-2 në “San Siro”, ndaj Lazios. Në përfundim të ndeshjes, asnjë zyrtar apo lojtar zikaltër nuk u paraqit për të folur për mediat.

Një vendim që, sipas asaj që ka rrjedhur nga klubi, vjen si pasojë e pakënaqësisë për mënyrën si u menaxhua ndeshja nga arbitri. Pakënaqësia është jo vetëm ndaj Chiffi, por gjykimit gjatë gjithë sezonit.

Pikërisht te kjo pakënaqësi ndalet edhe “La Repubblica”.

Gjatë së martës, në ditën e dytë të stërvitjes për javën, Simone Inzaghi, i cili të enjten pritet të ketë sërish në grup Frattesi dhe Lautaro për të vlerësuar gjendjen e tyre para sfidës në fushën e Comos, nuk mbajti ndonjë fjalim të veçantë në “Appiano Gentile”. Vetëm një mesazh: të japim maksimumin. Më pas do të vijë momenti për të folur.

Trajneri dhe vetë presidenti Beppe Marotta janë të bindur se sezonin e tyre e ka dëmtuar edhe një seri vendimesh të padrejta arbitrare.

Një mendim që, sipas të përditshmes italiane të cituar më sipër, Marotta është gati ta çojë në Këshillin e ardhshëm Federal të FIGC, për të ngritur zërin dhe mbrojtur “peshën” e Interit, ose të paktën për të denoncuar padrejtësitë që klubi mendon se ka pësuar gjatë sezonit.

Megjithatë, beteja e parë është ajo në fushë. Objektivi është fitorja të premten në mbrëmje ndaj Comos, duke shpresuar në një ndihmë nga Napoli në përballjen ndaj Cagliarit në “Maradona”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot