Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, tha se miratimi nga ambasadorët është “një hap i rëndësishëm drejt një Evrope më të fortë”.
Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian të mërkurën miratuan instrumentin e kredisë prej 150 miliardë eurosh për të përforcuar prodhimin e mbrojtjes në gjithë bllokun, duke vendosur një preferencë evropiane 65-35 për qind.
SAFE, që Komisioni propozoi përmes një instrumenti ligjor që i lejon të anashkalojë votimin nga ligjvënësit evropianë, ende kërkon miratimin formal nga shtetet anëtare, që pritet të ndodhë më 27 maj.
Euronews ka përmbledhur gjërat kryesore rreth kësaj nisme evropiane.
Preferenca evropiane
Ambasadorët e shteteve anëtare qëndruan pranë propozimit të Komisionit, sipas të cilit, për t’u kualifikuar për fondet e BE-së, të paktën 65 për qind e vlerës së sistemit të armëve që blihet duhet të prodhohet në një shtet anëtar të BE-së, Ukrainë, ose në një vend të Zonës Ekonomike Evropiane/Asociacionit Evropian për Tregti të Lirë. 35 për qind e mbetur mund të vijë nga çdo vend i tretë i botës.
Por, disa vende të treta mund të avancohen dhe të marrin pjesë deri në 65 për qind. Për këtë, ato duhet të kenë një Partneritet ekzistues Sigurie dhe Mbrojtjeje (SDP) me bllokun, që është një kusht paraprak për të lidhur një marrëveshje dypalëshe të dytë që do t’u lejojë qasje në këtë program specifik.
BE-ja ka shtatë të tilla SDP me Norvegjinë, Moldavinë, Korenë e Jugut, Japoninë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe që prej kësaj jave, me Mbretërinë e Bashkuar.
Autoriteti i dizajnit
Por, BE-ja dëshiron gjithashtu një lloj kontrolli mbi komponentët dhe softuerin që do të vijnë nga jashtë, duke siguruar që kompanitë vendase të kenë autoritetin e dizajnit mbi ta.
Kjo bëhet për të garantuar që vendet e treta nuk mund të bllokojnë përdorimin, përmes një butoni ndalimi (kill switch) për shembull, ose ri-eksporin e gjithë sistemit të armëve.
Cili është qëllimi?
BE-ja dëshiron të jetë në gjendje të mbrojë veten, edhe vetëm nëse nevojitet, kundër një agresori në vitet e ardhshme dhe për këtë pranon se duhet të rrisë ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen dhe të përforcojë prodhimin vendas.
Kjo sepse lufta e Rusisë në Ukrainë ka zbuluar dobësitë dhe varësitë e bazës industriale evropiane të mbrojtjes, ndërsa rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë ka hedhur dyshime mbi mbështetjen ushtarake afatgjatë të SHBA-së.
Tradicionalisht, dhe edhe sot, Uashingtoni ka qenë furnizuesi kryesor i sigurisë evropiane.
Presidenti amerikan prej kohësh ka kritikuar aleatët evropianë të NATO-s për mos-shpenzimin e mjaftueshëm dhe ka sugjeruar se SHBA mund të vendosë të mos vijë në ndihmë të aleatëve që nuk shpenzojnë deri në një nivel të caktuar, ose mund të tërheqë trupat dhe pajisjet nga territori evropian.
Gjithashtu po rriten frika se ndihma ushtarake e Uashingtonit për Ukrainën mund të tërhiqet, duke lënë evropianët të mbajnë barrën vetëm.
Plani i Komisionit ‘Readiness 2030’, ku SAFE është një shtyllë kyçe, synon të rrisë me shpejtësi porositë, të sigurojë zinxhirët e furnizimit dhe të nxisë linjat e prodhimit duke inkurajuar shtetet anëtare të bashkojnë prokurimin në disa kapacitete që konsiderohen prioritet.
Këto përfshijnë municionin, sistemet dron dhe anti-dron, mbrojtjen ajrore, lëvizshmërinë ushtarake, dhe luftën elektronike, ndër të tjera.
Si do të funksionojnë pagesat e SAFE?
Nëse ministrat miratojnë marrëveshjen e mbështetur nga ambasadorët në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme më 27 maj, shtetet anëtare do të kenë më pas dy muaj për të përgatitur projektet për të cilat dëshirojnë fonde nga BE-ja.
Për t’u kualifikuar, çdo projekt duhet të përfshijë të paktën dy vende. Komisioni do të ketë deri në katër muaj për t’i analizuar ato. Nëse përgjigjja e Komisionit është pozitive, shtetet anëtare do të lejohen të kërkojnë shpërndarjen e një pakete fillestare deri në 15 për qind të kostos totale të parashikuar.
Më pas, ato do të duhet të mbajnë Komisionin të informuar për zhvillimin e projektit çdo gjashtë muaj, gjë që mund të çojë edhe në shpërndarje të mëtejshme fonde. Miratimi i fundit për shpërndarjet mund të bëhet deri më 31 dhjetor 2030.
Është e rëndësishme të theksohet se edhe pse vendet jo-anëtare të BE-së mund të marrin pjesë në prokurime të përbashkëta, ato nuk do të mund të përfitojnë nga kreditë.
Pse të përdoret SAFE
Komisioni ka një vlerësim kreditit AAA nga shumica e agjencive kryesore të vlerësimit, përfshirë Fitch Ratings, Moody’s dhe Scope.
Prandaj, marrja hua nga Komisioni, i cili siguron këto fonde nga tregu, mund të jetë më pak e kushtueshme për disa shtete anëtare sesa të sigurojnë vetë fondet. SAFE do të ofrojë gjithashtu kredi me maturim të gjatë, me një periudhë maksimale prej 45 vjetësh dhe një periudhë faljeje 10-vjeçare për pagesën e principalit.
Kreditë do të mbështeten nga buxheti i BE-së, që do të thotë se shtetet anëtare nuk do të duhet të nxjerrin para shtesë nëse kostot e kthimit të kredisë rriten, siç ndodhi me programin e rimëkëmbjes pas COVID-19 për shkak të rritjes së normave të interesit, të nxitura nga goditja e pandemisë në ekonominë globale dhe lufta e Rusisë në Ukrainë.
Një avantazh shtesë i përdorimit të SAFE është se shtetet anëtare nuk do të duhet të paguajnë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për blerjet.
Kush mund ta përdorë atë?
Pesë shtete anëtare kanë vlerësim AAA, përfshirë Danimarkën, Gjermaninë, Luksemburgun, Holandën dhe Suedinë. Disa madje nuk kanë as vlerësim A, si Bullgaria, Greqia, Hungaria, Italia. Shumica janë në mes.
Letonia, e cila ka vlerësim A, ka treguar tashmë se dëshiron të përdorë SAFE për të financuar rritjen e shpenzimeve të saj për mbrojtjen. Ky shtet i vogël baltik planifikon të ndajë 3.65 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzimet e mbrojtjes këtë vit, duke u rritur në 4 për qind vitin e ardhshëm.
Neale Richmond, ministri i mbrojtjes i Irlandës, një vend ushtarakisht neutral që ka vlerësim AA, tha të martën se vendi do ta shikojë këtë “absolutisht si një mënyrë për të blerë më shumë pajisje më shpejt” ose për mundësitë që ofron “kur bëhet fjalë për përjashtime mbi TVSH-në”, por që “ndoshta nuk do të kishte nevojë për procesin SAFE për të pasur qasje në fonde”.
Një tregues i mundshëm i interesit është përdorimi i klauzolës kombëtare të përjashtimit – shtylla tjetër financiare e planit ‘Readiness 2030’ të Komisionit për mbrojtjen. Katërmbëdhjetë shtete anëtare kanë kërkuar leje për të devijuar nga rregullat fiskale të bllokut për të rritur shpenzimet e mbrojtjes, gjë që Komisioni e konsideron një sukses.
Këto përfshijnë Belgjikën, Bullgarinë, Danimarkën, Estonin, Finlandën, Gjermaninë, Greqinë, Hungarinë, Letoninë, Lituaninë, Poloninë, Portugalinë, Sllovakinë dhe Slloveninë.
Gjithashtu, fakti që disa vende mund të vendosin të marrin kredi nga SAFE jo për të forcuar stoqet e tyre, por për të dërguar më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, mund të rrisë interesin në shtetet anëtare ku rritja e prodhimit të mbrojtjes dhe riarmatosja mund të jenë çështje sensitive politikisht.