Napoli përshpejton negociatat me De Bruynen

- Bota Sot

Napoli përshpejton negociatat me De Bruynen

Në pritje për të kuptuar nëse në fanellën e re do të vendoset stema e kampionit të Italisë për herë të katërt në histori, tifozët e Napolit mund të nisin të ëndërrojnë për të ardhmen falë lëvizjeve në merkato.

Presidenti Aurelio De Laurentiis thuhet se ka dhënë “ok”-in për të përshpejtuar tratativat e veshjes me fanellën e kaltër të Kevin De Bruyne, yllit belg që do të largohet nga Manchester City si lojtar i lirë.

Ajo që deri disa javë më parë dukej si një ëndërr merkatoje, me kalimin e ditëve është kthyer në një negociatë të vërtetë, me ofertë konkrete mbi tavolinë: kontratë 2-vjeçare me 10 milionë euro në sezon dhe opsion për një vit të tretë, gjatë të cilit paga do të ulet paksa.

Ylli belg, pas 10 vitesh, do të largohet nga klubi i Manchesterit, i cili nuk i ka propozuar rinovim kontrate.

Pasi ka deklaruar se nuk është i gatshëm të nënshkruajë kontrata të përkohshme vetëm për të marrë pjesë në Botërorin për Klube, duke rrezikuar dëmtime në fazën e fundit të karrierës, De Bruyne po vlerëson me kujdes opsionin e Napolit, i cili është ndër alternativat më joshëse në tavolinën e tij.

Një propozim, siç raportohet nga Fabrizio Romano, ekonomikisht jashtë parametrave të zakonshëm të Napolit për sa iu përket pagave, por për goditje të këtij niveli, vetë De Laurentiis është bindur se duhen bërë përjashtime.

De Bruyne thuhet se ka dhënë tashmë miratimin e tij ndaj klubit napolitan, por po merr kohën e nevojshme për të vlerësuar ofertat e shumta që i kanë ardhur nga çdo cep i globit futbollistik (Liverpool, Marseille, Chelsea, MLS). Njëra prej tyre, sipas “Corriere dello Sport”, është edhe ajo e Juventusit, që disa ditë më parë e ka telefonuar lojtarin për të kuptuar nëse ka ende hapësirë për të ndërhyrë në “ankand”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot