Napoli është vetëm një fitore larg titullit kampion në Serie A, dhe trajneri Antonio Conte, edhe pse i pezulluar, ka bërë thirrje për përqendrim maksimal dhe qetësi para ndeshjes vendimtare kundër Cagliari të premten mbrëma.
Skuadra napolitane kryeson kampionatin italian me një pikë më shumë se Interi, dhe përballja e fundit në "Stadio Diego Armando Maradona" mund të jetë historike për qytetin dhe tifozët që presin rikthimin e titullit.
“Kemi kaluar një sezon jashtëzakonisht të vështirë dhe kjo mund të jetë ndeshja që e mbyll sezonin në një vend të ri, në një ambient të ri, ku padyshim ndjejmë përgjegjësinë për t’i dhënë Napolit dhe tifozëve diçka të bukur dhe historike”, ka thënë Conte në konferencën për shtyp të enjten.
Trajneri italian nuk do të jetë në pankinë për shkak të një pezullimi pas përplasjes verbale me Cristian Chivu në ndeshjen ndaj Parma, por ka theksuar se ndonëse fizikisht në tribuna, do të jetë shpirtërisht me ekipin.
“Më vjen keq që nuk do të jem aty. Pas një sezoni si ky, dëshiron të jesh pranë skuadrës dhe tifozëve për ta udhëhequr ekipin. Por kam besim të plotë tek stafi im, tek atmosfera që do të krijojnë tifozët. Zemra ime do të jetë në fushë”, ka shtuar ai.
Conte ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të tifozëve napolitanë gjatë gjithë sezonit, duke i përshkruar si faktor kyç në rrugëtimin drejt titullit.
“Na kanë qëndruar pranë si në momentet pozitive, ashtu edhe kur kemi kaluar vështirësi. Ata besuan menjëherë në grupin tonë. U them vetëm: vazhdoni të jeni vetvetja”, është shprehur tekniku i plot skuadrave të njohura italiane dhe evropiane.
Duke folur për përballjen me Cagliari, Conte ka theksuar se suksesi kalon përmes respektit ndaj kundërshtarit.
“Cagliari është një skuadër e mirë dhe duhet ta luajmë lojën tonë me respekt maksimal për ta. Vetëm kështu do të kemi më shumë gjasa për të fituar. E dimë që puna na ka sjellë deri këtu. Tani duhet ta përfundojmë misionin”, ka thënë ai.