Dembélé dhe Lautaro bëjnë sikur s’janë të interesuar. “Topi i Artë? Te PSG ka gjëra më të rëndësishme”, – thotë Ousmane. “Së pari Interi, pastaj vijnë të tjerat”, – shton Lautaro. Modesti? Diplomaci? Apo thjesht supersticion para një nate që mund të ndryshojë gjithçka?
Finalja e madhe e Champions League më 31 maj në Mynih, mes PSG dhe Interit, është shumë më tepër se për një trofe. Është gjithashtu një duel për “Topin e Artë” 2025. Dembélé ka qenë “bishë” këtë sezon: 33 gola, 13 asistime në 42 ndeshje. I pandalshëm, i rilindur nën drejtimin e Luis Enrique, vendimtar në momentet kyçe. Dhe kur ka mbështetjen e bashkëlojtarëve e gjithë Parisit, kandidatura e tij është më se e vlefshme.
Përballë ka një kapiten që nuk ndalet. Lautaro Martinez, simbol i Interit të Inzaghit, ka udhëhequr zikaltërit drejt finales me 9 gola në 13 ndeshje të Champions-it, këtë edicion. I qetë, por i pamëshirshëm, nga “Copa America” te Serie A, ai ka ndërtuar një profil fituesi të vërtetë. Jo më vetëm golashënues, por udhëheqës.
“Topi i Artë” kërkon më shumë se statistika. Kërkon një moment madhështie, një arritje që të kujtohet. Dhe Champions-i është skena më e madhe. Stephane Courbis, agjent i njohur francez, nuk sheh shanse për Donnarumma apo Lautaro, por beson fort te Dembélé: “Nëse fiton Champions-in, është favoriti absolut”.
Sidoqoftë, asgjë nuk është e vendosur. Në horizont është edhe Lamine Yamal, ylli i ri i Barcelonës, eliminuar nga Lautaro në gjysmëfinale. Ronaldinho e ka shpallur trashëgimtar: “Tani është radha e Lamine.” Jo për këtë vit, por e ardhmja është e tij.
Lista e kandidatëve do të zbulohet më 6 gusht dhe do të përfshijë edhe emra si Kane, Lewandowski, Raphinha, por në prapavijë. Sepse finalja e Mynihut mund të vendosë gjithçka.
Sytë e të gjithëve janë te “Topi i Artë” 2025. Dy emra mund ta vendosin fatin e këtij çmimi prestigjioz për këtë vit në një ndeshje të vetme, finalen e Champions League. Dembélé apo Lautaro, cili do ta shkruajë historinë?