Demrozi pritet nga klubi ku spikati Cikalleshi

- Bota Sot

Demrozi pritet nga klubi ku spikati Cikalleshi

Përfaqësues të Egnatias ishin së fundmi në Turqi për një vizitë zyrtare, që siç raporton klubi synon forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve përmes sportit. Delegacioni i kampionëve të Shqipërisë kryesohej nga presidenti Agim Demrozi.

Kampionët e Shqipërisë në dy sezonet e fundit zhvilluan takime në Ankada dhe Konia. Presidenti i Egnatias u prit ndërkohë nga presidenti i Konjaspor, Omer Korkmaz. Te Konjaspor kujtojmë që ka spikatur Sokol Cikalleshi.

Të dy krerët e klubeve respektive diskutuan mundësitë për projekte të përbashkëta në të ardhme. Vizita e kthimit pritet nga presidenti i Konjaspor në të ardhme jo të largët.

Njoftimi i Egnatias:

“KF Egnatia zhvillon vizitë zyrtare në Turqi – Diplomaci sportive dhe bashkëpunim ndërkombëtar

Rrogozhinë, 23 maj 2025 – Në kuadër të konsolidimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe forcimit të diplomacisë sportive, një delegacion zyrtar i Klubit të Futbollit Egnatia, i kryesuar nga Presidenti Agim Demrozi, zhvilloi një vizitë të rëndësishme në Republikën e Turqisë.

Gjatë qëndrimit në Ankara, delegacioni i Egnatias u prit me nderime në Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë nga zëvendëspresidenti i Partisë AK për Balıkesir dhe deputeti i Kuvendit të Turqisë, z. Mustafa Canbey. Në këtë takim miqësor, u theksuan sukseset e klubit Egnatia, i cili prej tre sezonesh është kampioni i padiskutueshëm i Superligës Shqiptare, dhe u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit sportiv midis dy vendeve.

Deputeti Canbey, një figurë e njohur për angazhimin e tij në çështjet e diplomacisë publike dhe anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, theksoi rëndësinë që ka futbolli si urë lidhëse mes popujve dhe shprehu vullnetin për të mbështetur çdo nismë që promovon bashkëpunimin ndërkufitar në fushën sportive. Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve miqësore midis Shqipërisë dhe Turqisë përmes sportit.

Më tej, delegacioni i KF Egnatia zhvilloi një vizitë zyrtare edhe pranë klubit Konyaspor në qytetin Konya, ku u prit nga Presidenti i klubit turk, z. Ömer Korkmaz, dhe bordi drejtues.

Gjatë takimit u diskutuan mundësitë për projekte të përbashkëta në fusha të ndryshme si: zhvillimi i infrastrukturës, shkëmbimi i përvojave në trajnimet teknike, kampet verore për të rinjtë dhe politika të përbashkëta në tregun e transferimeve.

Presidenti Demrozi shprehu mirënjohjen për mikpritjen dhe vlerësoi se një bashkëpunim afatgjatë me një klub me traditë si Konyaspor mund të sjellë përfitime të ndërsjella, veçanërisht në aspektin e zhvillimit të talenteve të rinj dhe forcimit të kapaciteteve organizative të të dy klubeve.

Vizita përfundoi me shkëmbimin simbolik të fanellave dhe dhuratave, duke konfirmuar frymën e miqësisë që karakterizoi takimet. Presidenti i Konyasporit deklaroi se një vizitë kthimi në Shqipëri pranë KF Egnatia është planifikuar për të ardhmen e afërt.

KF Egnatia vazhdon të mbetet një model i përfaqësimit dinjitoz të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke ndërtuar ura bashkëpunimi dhe duke promovuar vlerat e sportit si mjet afrimi mes kombeve”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot