Jack Grealish drejt transferimit te gjiganti i La Ligës

- Bota Sot

Jack Grealish drejt transferimit te gjiganti i La Ligës

Aventurës së Jack Grealish te Manchester City duket se i ka ardhur fundi. Anglezi nuk është më në planet e Pep Guardiolës, ndaj duhet të gjejë një destinacion të ri për sezonin e ardhshëm, gjithnjë nëse do që të jetë pjesë e Anglisë për Kupën e Botës 2026, pasi te “Qytetarët” po ngroh stolin dhe vështirë se do ketë besimin e Tuchel, nëse vazhdon kjo situatë.

“Todo Fichajes” raporton se Grealish është nën radarin e Atletico Madrid si një mundësi që mund të rigjallërojë si lojtarin ashtu edhe sulmin e “Colchoneros”.

Pas largimit të sigurt të Angel Correa, klubi madrilen po kërkon një lojtar sulmues krijues dhe shkatërrues, dhe anglezi i plotëson mesa duket këto kushte. Diego Simeone vlerëson veçanërisht cilësinë teknike të Grealish, si dhe aftësinë e tij për të thyer linjat dhe për t’u përshtatur në zona të ndryshme të sulmit. Stili i tij do të përshtatej mirë me një ekip që ka nevojë për ekuilibër në krah, aty ku Atletico ka vuajtur shumë këtë sezon.

Edhe pse marrëveshja duket e ndërlikuar për shkak të pagës së lartë të lojtarit dhe kontratës aktuale, raporti i mirë midis Atletico-s dhe Manchester City mund të lehtësojë negociatat. Të dy klubet kanë përfunduar marrëveshje të rëndësishme në të kaluarën, dhe një huazim me mundësi blerjeje mund të jetë opsioni më i mundshëm për Jack Grealish.

Por, Atletico nuk është i vetmi që interesohet për Grealish, pasi 29-vjeçari po ndiqet edhe nga disa klube angleze. Megjithatë, dëshira e vetë lojtarit është të provojë një aventurë të re, larg Premier League.



Lexoni të gjitha në Bota Sot