Tragjedi në Londër! Nëna dhe tre fëmijët humbin jetën nga zjarri

- Bota Sot

Tragjedi në Londër! Nëna dhe tre fëmijët humbin jetën nga zjarri

Një vajzë adoleshente ndodhet në gjendje kritike në spital pas një zjarri të rëndë në veri-perëndim të Londrës, ku humbën jetën nëna, motra dhe dy vëllezërit e saj.

Policia Metropolitane ka njoftuar se një burrë 41-vjeçar është arrestuar në vendngjarje dhe ndodhet ende në paraburgim, ndërsa kanë nisur hetimet për vrasje.

Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të së shtunës në zonën Stonebridge të Brent-it, ku zjarri përfshiu dy banesa. Viktimat janë një grua 43-vjeçare, një vajzë 15-vjeçare dhe dy djem të moshave tetë dhe katër vjeç.

Një vajzë tjetër 13-vjeçare nga e njëjta familje ndodhet në gjendje kritike në spital, ndërsa një grua 71-vjeçare e familjes që gjithashtu pësoi lëndime nga zjarri, ka dalë nga spitali pas trajtimit.

Dëshmitarët raportuan se familja është me origjinë pakistaneze dhe kishin jetuar prej vitesh në rrugën Tillett Close. Shërbimi i Zjarrfikësve të Londrës tha se nëna dhe një nga fëmijët u shpëtuan nga kati i dytë i banesës, por, për fat të keq, vdiqën në vend nga plagët e rënda. Dy fëmijët e tjerë u gjetën të pajetë brenda shtëpisë gjatë përpjekjeve të zjarrfikësve për të përballuar flakët.

Buzë banesës së djegur, qytetarët vendosën trëndafila dhe një arush lodër blu në shenjë zie dhe solidariteti me familjen.

“Jam e tronditur nga ajo që ka ndodhur,” u shpreh Cecilia Marquis, 60 vjeçe, një fqinje e cila ishte dëshmitare e zjarrit.

Policia ka nisur një hetim të plotë për shkaqet e zjarrit dhe ka konfirmuar se është trajtuar si një ngjarje e dyshuar për vrasje të shumëfishtë.



Lexoni të gjitha në Bota Sot