Një dron “mashtrues” rus, i përbërë tërësisht nga pjesë kineze, zbulon bashkëpunimin në rritje mes Pekinit dhe Moskës, sipas gazetes “The Telegraph”.
Është zbuluar se një dron i ri “mashtrues” rus, i përdorur për të depërtuar në mbrojtjen ajrore të Ukrainës, është ndërtuar tërësisht nga pjesë kineze, një zhvillim i rëndësishëm që shënon për herë të parë që Rusia përdor armë të prodhuara vetëm me komponentë nga Kina.
Ky zbulim u bë nga shërbimet sekrete ukrainase, të cilat arritën të kapin dhe çmontojnë dy dronë të tillë të rinj pa pilot (UAV).
Droni CBTS.611000 përdoret kryesisht për zbulim dhe si mjet mashtrues, por gjithashtu mund të mbajë një lëndë shpërthyese deri në 15 kg.
Gati gjysma e pjesëve të njërit prej dronëve ishin prodhuar nga kompania kineze “CUAV Technology”, me seli në provincën Guangdong, e cila reklamohet si ofrues i zgjidhjeve me burim të hapur për dronët. Komponentët përfshinin, kontrolluesin e fluturimit me autopilot, module navigimi dhe antena, sensorin e shpejtësisë së ajrit, si dhe një tub “pitot” (sensor për matjen e shpejtësisë së erës).
Pavarësisht se “CUAV Technology” në vitin 2022 kishte njoftuar ndalimin e eksporteve të produkteve të saj drejt Rusisë dhe Ukrainës për të parandaluar përdorimin ushtarak, këto pajisje po shfaqen sërish në armatimin rus.
Sipas inteligjencës ukrainase, përveç”CUAV Technology”, në dron u gjetën një motor dhe një modul ndezjeje elektronike nga “Mile Haoxiang Technology”, një kamerë “FPV” nga “Foxeer Technology”, dhe një kopje kineze e modulit australian të transmetimit të të dhënave RFD900X nga RFDesign, i aftë të transmetojë të dhëna deri në 40 km largësi.
“Ky sistem krijon një kanal transmetimi të të dhënave nga UAV në stacionin tokësor apo mes UAV-ve, duke përmirësuar ndjeshëm aftësinë e tyre për zbulim”, njoftoi burimi shërbimeve secrete të Ukrainës.
Ajo ka vlerësuar më parë se 80% e elektronikës në dronët rusë është me origjinë nga Kina, një pretendim që është mbështetur edhe nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së.
Ndërkohë , Kina ka mohuar vazhdimisht se furnizon me armë vdekjeprurëse ndonjë palë në konflikt dhe këmbëngul se kontrollon me rigorozitet eksportin e produkteve me përdorim të dyfishtë (civil dhe ushtarak).
Në një postim në “Telegram”, shërbimet secrete ukrainase thanë se dronët kanë formë delta, të ngjashme me dronët Shahed-136 iranianë, të cilët Rusia i përdor me emrin Geran-2, por që janë më të vegjël në përmasa.
Më herët këtë muaj, pamje të një Geran-2 të dëmtuar zbuluan gjithashtu se pjesë të tij ishin prodhuar nga një kompani mekanike në provincën Suzhou në Kinë.Ky rast nënvizon rritjen e ndihmës teknologjike dhe indirekte që Rusia mund të jetë duke marrë nga Kina, pavarësisht deklaratave publike për neutralitet.