Kukës Half Marathon 2025/ Qyteti veri-lindor kthehet në qendër të sportit, mirëpret atletë nga Shqipëria, Kosova dhe bota

- Bota Sot

Kukës Half Marathon 2025/ Qyteti veri-lindor kthehet në qendër të sportit, mirëpret atletë nga Shqipëria, Kosova dhe bota

Prej dy ditësh, qyteti i Kukësit është kthyer në një qendër të sportit, natyrës dhe turizmit, duke mirëpritur atletë nga Shqipëria, Kosova, Europa dhe madje edhe nga Afrika e Jugut.

Në qytetin verilindor u zhvillua me sukses gjysmë maratona e parë “Kukës Half Marathon 2025”, një nismë që lindi nga një grup vullnetarësh të Qendrës për Progres Rinor. Garat u ndanë në tre kategori: për të rinjtë dhe për të rriturit në dy distanca – 10 kilometra dhe 21 kilometra – si për femra, ashtu edhe për meshkuj.

Ndër pjesëmarrëset spikati kampionia shqiptare Luiza Gega, e cila siguroi vendin e parë në distancën 21 km. Fitues të tjerë të garës ishin Bledar Mesi në distancën 10 km dhe Albion Ymeri në distancën 21 km për meshkuj.

Në këtë maratonë morën pjesë gjithsej 280 vrapues, përfshirë edhe deputetin e Kukësit, Eduart Shalsi. Atmosfera festive dhe sportive përshkoi rrugët e qytetit, duke sjellë gjallëri dhe energji pozitive për banorët dhe vizitorët.

Përveç garës sportive, maratona shërbeu edhe si një promovim i turizmit malor dhe i mikpritjes karakteristike të Kukësit. Me pjesëmarrje të gjerë dhe organizim të suksesshëm, “Kukës Half Marathon” pritet të kthehet në një ngjarje të përvitshme në kalendarin sportiv rajonal, me potencial për të fituar përmasa ndërkombëtare.



Lexoni të gjitha në Bota Sot