Silvinjo: Jemi para dy ndeshjeve shumë të vështira

- Bota Sot

Silvinjo: Jemi para dy ndeshjeve shumë të vështira

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, doli sot konferencë zyrtare për shtyp, pas publikimit të listës me 27 lojtarët e grumbulluar për dy sfidat e rëndësishme kundër Serbisë dhe Letonisë.

Tekniku kuqezi foli për zgjedhjet e tij, gjendjen fizike dhe formën e lojtarëve të thirrur, si dhe për rëndësinë e këtyre dy ndeshjeve. Ai u ndal veçanërisht te përballja me Serbinë, duke e cilësuar një ndeshje të fortë, që kërkon përqendrim maksimal dhe përgatitje të detajuar.

Më poshtë konferenca e plotë e trajnerit Silvinjo:

Lista dhe gjendja e lojtarëve? – Ky është një moment shumë i vështirë dhe i veçantë i datave FIFA, lojtarët mbyllin sezonin dhe duhet të shohim si mbërrijnë. Ndonjë mbërrin shumë i lodhur, dikush më pak, se ka luajtur më pak, dikush ka mbaruar prej ditësh sezonin. Është moment i veçantë, kemi emra, por kemi lojtarë që janë me 20 ditë në pushime, jo specifikisht në radhët tona. Duhet punuar mirë, kemi 7–10 ditë për të bërë një punë të mirë. Do të jetë e rëndësishme të zhvillojmë një punë të mirë. E përsëris që është një moment i veçantë i sezonit.

Ndeshja me Serbinë dhe emocionet? – Janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, dy skuadra, kundërshtarë shumë fizikë. Ne shpenzojmë shumë energji, duhet të punojmë shumë mirë. Do të jenë të rëndësishëm të 27 lojtarët, mesazhi i parë është që kemi nevojë për të gjithë. Janë dy ndeshje shumë të vështira për të harxhuar shumë energji.

Të përqendrohemi te e para, Serbia. Nuk është ndeshje normale, e di, e njoh historinë. Por ne duhet të përqendrohemi te loja, duhet të bëjmë mirë, të jemi skuadër që lufton me zemër dhe shpirt, të mos humbim identitetin, të shkojmë në fushë e bëjmë futboll. Ata jemi ne. Jam dakord që është ndeshje që duhet përgatitur mirë, e vështirë, por ne kemi shanset tona.

A mund të kemi ndryshime për të krijuar një efekt surprizë? – E theksoj edhe njëherë që 27 lojtarët që kam janë shumë të rëndësishëm. Janë 7 ditë rresht që duhet t’i përgatisim për këtë ndeshje dhe duhet ta bëjmë mirë. I njohim kundërshtarët, i kemi parë ndeshjet e fundit që kanë bërë Serbia dhe Letonia, por në të njëjtën kohë, ata do të na kenë parë dhe studiuar ne. Ndoshta kemi ndonjë lloj ndryshimi, por ngelet për t’u parë në ditët e ardhshme, ndërkohë që përgatisim ndeshjet. Janë dy ndeshje të forta, të vështira dhe fizike.

I kemi parë ato që kanë luajtur së fundmi, kemi pasur gati 1 vit ose 1 vit e gjysmë që kemi luajtur me kundërshtarë të vështirë, por të njëjtën gjë ka pasur edhe Serbia. Janë skuadra të forta të dyja, kanë edhe shumë centimetra, lojtarë shumë të gjatë, fizikisht të fortë.

Do të duhet të harxhojmë shumë energji me ata, por ne do të punojmë mbi mundësitë tona, do ta përgatisim ndeshjen mjaftueshëm mirë. Çdo ndeshje zgjat 90 minuta dhe çdo gjë mund të ndodhë brenda asaj kohe. Ata e nisin lojën mirë, por ne kemi mundësitë tona.

Nga ajo që keni parë, a mund të marrim fitore me Serbinë? – Janë dy ndeshje të forta, të vështira dhe fizike. Të dyja skuadrat kanë lojtarë të gjatë, kanë centimetra, fizikisht të forta. Për t’u përballuar kjo ndeshje, ti duhet të harxhosh shumë energji. Ne do të punojmë mbi mundësitë tona, jemi përmirësuar, kemi lojtarë të rëndësishëm, shumë prej tyre po kalojnë një moment të mirë.

Kemi mundësi, duhet të punojmë mbi këtë, të përgatisim mirë të dyja ndeshjet. Futbolli luhet në 90 minuta dhe mund të ndodhë çdo gjë. Kemi pasur një rrugëtim vitin e fundit, duke luajtur me ekipe shumë të forta, por edhe kundërshtari ynë i ardhshëm ka luajtur me kundërshtarë të fortë. Ata janë një skuadër fizike, rinisin mirë, kanë cilësi teknike, por ne duhet të përballemi mirë dhe kemi mundësitë tona.

Kontrolli i emocioneve ndaj Serbisë? – Jam i sigurt që duhet të punojmë për këtë aspekt, është ndeshje speciale. Por të mos harrojmë që shkojmë në fushë dhe aty është sport, 90 minuta. Duhet të përgatitemi shumë mirë për të përballuar të dy ndeshjet. Qartësisht, këto 7 ditë, që në ditën e parë do të punojmë për të. Kam nevojë për 27 lojtarë me shumë dëshirë për të shkuar në fushë, për të vrapuar e lënë zemrën e shpirtin, nuk kemi rrugë tjetër.

Teorikisht, në letër është vendi i dytë, por në futboll mund të ndodhë gjithçka. Ne duhet të punojmë mbi gjithçka që mund të marrim. Rrugëtimi është i shpejtë dhe nuk ka kohë për të humbur. Ky është mesazhi; kam nevojë për çdo minutë të lojtarëve, që në stërvitje. Fusha flet. Unë dua të shoh lojtarë që vrapojnë, që bëjnë çdo gjë që kemi bërë, akoma edhe më shumë, edhe më shumë zemër e shpirt. Kjo është karakteristika e skuadrës sonë, nuk duhet ta humbim. Dua edhe më shumë.

Shanset për vendin e parë? – Në letër, duhet të jemi të sinqertë, Anglia është ekip shumë i fortë; trajner i ri, i mirë, lojtarë të nivelit shumë të lartë. Në futboll mund të ndodhë çdo gjë, është lojë, është gjithçka e shpejtë. Ne duhet të përqendrohemi te vetja jonë, forca jonë, pikët, mundësitë deri në fund, pastaj ta shohim.

Në tetor-nëntor do të shohim çfarë ndodh. Duhet të bëjmë pikë, sforco, të shpenzojmë energjitë, e pastaj të shohim çfarë ndodh. Anglia është ndër ekipet më të fortat në botë, sipas meje. Por ne duhet të shohim dy kundërshtarët e radhës, të mundohemi të marrim pikë, të bëjmë mirë në 180 minuta, se janë dy ndeshje.

Mungesa në listë e emrave të rinj? – Jam pjesërisht dakord me pyetjen. Ju kujtoj se Julian Shehu është i ri, është grumbulluar sërish për herë të dytë. Dajsinani është hera e parë. Aliji është rikthyer në dy grumbullimet e fundit, Pajaziti është hera e tretë, nëse nuk gaboj. Edhe ne harrojmë ndonjëherë për punën që bëjmë. Kam kërkuar të printonim listën e parë që kemi bërë një vit e gjysmë më parë, ka shumë ndryshime.

Janë 10 persona që punojnë çdo ditë duke ndjekur dhe vëzhguar lojtarët që mund të përmirësojnë ekipin. Këtë po bëjmë, fusha flet. Nga 27 lojtarë, më duhet të zgjedh 11 prej tyre në formacionin titullar. Jemi të kënaqur me lojtarët që kemi, që po përmirësohen. Po përmirësojnë ekipin, sjellin gjëra të rëndësishme. Është e vërtetë që ka limite, nuk mund të bësh shumë ndryshime në çdo grumbullim. Jemi të kënaqur me këta 27 dhe pres shumë nga të gjithë ata. Dhe nëse ka ndonjë tjetër, ne jemi në ndjekje për ta parë, por jam krenar për lojtarët në këtë moment.

Komenti i Presidentit të Serbisë, që ka bërë thirrje për fitore në Tiranë, keni ndonjë përgjigje? – E kam dëgjuar diku diçka të tillë, por e bukura e futbollit është se zgjat 90 minuta, dhe këtë e kam mësuar shumë vite më parë, me eksperiencë. Janë dy ndeshje të vështira, ku duhet të futemi shumë fort në fushë, të bëjmë më të mirën e mundshme, dhe futbolli do të flasë vetë. Unë jam i lumtur me lojtarët që kam përzgjedhur dhe do të punojmë fort.

Ndeshja me Serbinë para 10 viteve në Tiranë? – E kam parë atë që ka ndodhur vite më përpara dhe nuk shqetësohem, sepse do t’i përgatisim lojtarët për të luajtur futboll 90 minuta dhe do të bëhet diferenca. E bukura e kësaj Kombëtareje është se kemi lojtarë nga të gjitha anët e botës, kemi edhe një lojtar shqiptar në Argjentinë.

Unë besoj që lojtarët më të mirë në qarkullim janë këta 27 që ne kemi përzgjedhur. Sigurisht që ne kemi parë edhe lojtarë të tjerë, kemi listë prej 15-20 lojtarësh që nuk janë grumbulluar, por i vëzhgojmë vazhdimisht. Por jam i kënaqur me ata që kemi grumbulluar.

Shpendi? – Futbolli nuk bëhet vetëm brenda 24 orëve, pra nëse është duke performuar mirë momentalisht, duhet futur në lojë. Sa më shumë që një lojtar grumbullohet dhe përgjigjet në fushë, aq më shumë shanse ka që të thirret prapë. Unë besoj te një ekip që ka bazë dhe që mund të rritet dhe të shtojë 3 ose 4 elementë. Kjo është metodologjia që ne ndjekim dhe aplikojmë. Nuk besoj në 10 ndryshime për çdo grumbullim, por te një grup që jep më të mirën.

A do luajë Asllani me Interin në finale? – Edhe si Federatë jemi krenarë me lojtarin dhe shumë të tjerë që bëjnë një rrugëtim shumë të bukur. Mua më kujtohet që si lojtar është pjesa më e bukur në karrierë, si trajner është e mirë. E kam zgjedhur si karrierë, por si lojtar kjo është një ndeshje e jashtëzakonshme, sipas meje më e mira në botë.

Kam pasur fatin ta luaj një finale, ndoshta mund të luajë, të fitojë, por unë flas për Asllanin si shqiptar që përfaqëson Shqipërinë. Jam shumë i lumtur për lojtarin, më pëlqen shumë, përtej cilësive teknike. Jemi krenarë për të, ndoshta uroj të shohim një ndeshje shumë të bukur që, sipas meje, është ndër më të bukurat në botë.

Reparti te i cili ka më shumë shpresa? – Të gjithë. Duhet të jemi skuadër e fortë në mbrojtje dhe sulm, të dy fazat, nuk është e thjeshtë. Por kjo është, nuk është një sektor që e fiton ndeshjen, por të gjithë bashkë. Besoj se të 11 lojtarët mbrojnë e krijojnë lojën, të dy fazat janë të vështira. Mendojmë se jemi skuadër e ekuilibruar, punohet shumë. Nuk është vendosja e një numri të caktuar sulmuesish apo mbrojtësish. Jam i kënaqur me këta 27 lojtarë, jam i sigurt që mund të ekuilibrojmë skuadrën. Të futemi në fushë dhe të japim gjithçka aty.



Lexoni të gjitha në Bota Sot