Xabi Alonso të hënën është prezantuar zyrtarisht si trajner i ri i Real Madrid, duke u rikthyer në klubin ku shkëlqeu si futbollist.
Pas konfirmimit të emërimit të tij gjatë fundjavës, Alonso në konferencën për media, u shpreh u emocionuar që do ta drejtojë gjigantin spanjoll.
Ish-trajneri i Bayer Leverkusenit, tek “Los Blancos”, do të zëvendësojë Carlo Ancelottin, më këtë të fundit që sot pritet zyrtarisht të marrë drejtimin e Kombëtares së Brazilit.
Alonos tha se kjo ditë është e veçantë për të. Tekniku spanjoll theksoi se është i lumtur që do ta drejtojë Real Madridin.
“Pa asnjë dyshim, për mua kjo është një ditë shumë e veçantë. Një ditë që do ta shënoj në kalendar për gjithë jetën. Jam shumë i lumtur që jam këtu pasi ndihem si në shtëpinë time”, ka thënë Alonso.
“Lidhja ime me Real Madridin nuk është ndërprerë kurrë dhe që kur hyra në Valdebebas para një ore e gjysmë, ajo ndjenjë u rizgjuar”.
“E ndjej sikur ky është fillimi i një epoke të re. Florentino, të falënderoj shumë për besimin. E ndjej që tifozët e Real Madridit janë të entuziazmuar për këtë epokë të re, për të vazhduar rritjen dhe për të bërë edhe më të madhe historinë e këtij klubi. Falënderoj edhe familjen time që gjithmonë më qëndron pranë”, ka theksuar Alonso.
Emërimi i Xabit në krye të bankinës së ‘Mbretërve’ shënon fillimin e një kapitulli të ri për Real Madridin, me shumë pritshmëri për vazhdimësinë e suksesit dhe krijimin e një epoke të re lavdie në “Santiago Bernabeu”.