“Shuplaka” e Brigitte ndaj Presidentit Macron, teoritë konspirative rreth Zonjës së Parë të Francës

- Bota Sot

“Shuplaka” e Brigitte ndaj Presidentit Macron, teoritë konspirative rreth Zonjës së Parë të Francës

Një moment gjatë mbërritjes së çiftit presidencial francez në Vietnam, ka bërë xhiron e botës dhe ndezur debatet në rrjet.

Në pamjet filmike të mbërritjes me avionin presidencial, kamera televizive kap Zonjën e Parë të Francës, Brigitte Macron, teksa prek me forcë fytyrën e bashkëshortit të saj, Presidentit Emmanuel Macron, gjest që është interpretuar nga disa si një shuplakë.

Pas përhapjes virale të videos, Presidenti Macron reagoi duke thënë: “Po bënim shaka, siç ndodh shpesh mes meje dhe bashkëshortes sime. Një video u shndërrua në një ‘katastrofë gjeoplanetare’”, u shpreh ai me ironi, ndërsa Presidenca Franceze (Elizeu) e cilësoi incidentin si një moment flirtimi mes çiftit.

“Në botën që jetojmë, nuk kemi shumë kohë për të humbur me tema të tilla”, shtoi Macron, duke mohuar që të ketë pasur ndonjë “skenë familjare”, dhe përfundoi: “E gjithë kjo është qesharake. Njerëzit thonë shumë marrëzira. Duhet të qetësohen”.

Fushata dezinformimi dhe teoritë konspirative ndaj Brigitte Macron

Ndërkohë, Elizeu ka ndërmarrë në javët e fundit një qasje më aktive kundër lajmeve të rreme dhe dezinformimit online, të cilat shpesh kanë në qendër Brigitte Macron.

Zonja e Parë ka qenë objekt i një sërë teorish konspirative ndër vite, më e përhapura, që ajo në të vërtetë ka lindur si burrë me emrin Jean-Michel Trogneux dhe ka ndërruar gjini në moshën 30-vjeçare.

Sipas kësaj teorie, Brigitte është një identitet i krijuar nga vëllai i saj, duke nxitur një valë lajmesh të rreme në rrjetet sociale, veçanërisht në Francë, ku emri “Jean-Michel Trogneux” është bërë trend me dhjetëra mijëra përmendje.

Përballë këtyre akuzave, Brigitte Macron ka ndërmarrë veprime ligjore. Avokati i saj, Jean Ennochi, konfirmoi për agjencinë AFP se procesi gjyqësor është në zhvillim.

Kush qëndron pas dezinformimit?

Sipas mediave franceze, burimi fillestar i teorisë së rreme ishte një artikull i publikuar në një revistë të ekstremit të djathtë nga një grua me emrin Natacha Rey. Artikulli më pas u trajtua në një emision në YouTube që ka audiencë të madhe mes anti-vaksinuesve, kundërshtarëve të masave kundër COVID-19 dhe aktivistëve të ekstremit të djathtë, siç thekson gazeta Libération.

Në përkrahje të teorisë janë përfshirë llogari të lidhura me qasje ekstreme politike, si edhe ithtarë të teorisë konspirative QAnon. Si “provë”, ata paraqesin një foto të Jean-Michel Trogneux në fëmijëri që ngjan me Brigitte, një ngjashmëri e pritshme duke qenë se janë vëllezër.

Një gjykatë franceze, në shtator, vendosi dëmshpërblim prej 8.000 eurosh për Brigitte Macron dhe 5.000 euro për vëllain e saj si viktima të shpifjeve.

Konspiracioni nuk është kufizuar vetëm brenda Francës. Figurat publike amerikane si Candace Owens dhe Tucker Carlson, mbështetës të presidentit Donald Trump, e kanë përhapur teorinë.

Owens publikoi një video me titullin provokues: “A është Zonja e Parë e Francës burrë?”, duke e promovuar në rrjetin X (ish-Twitter): “Ndalo gjithçka dhe shikoje! Nuk është shaka të thuash se kjo është ndoshta skandali më i madh politik pas vrasjeve politike”.

Edhe Emmanuel Macron në qendër të teorive konspirative

Presidenti francez ka qenë edhe vetë objekt teorish të ngjashme. Në dhjetor 2021, një “buletin i brendshëm” i ekstremit të djathtë pretendonte se identiteti i Macron ishte një “gënjeshtër shtetërore”, duke sugjeruar se ai kishte fabrikuar dokumente për të fshehur se bashkëshortja e tij kishte lindur fëmijët e tij, një tjetër pretendim absurd nga e njëjta autore, Natacha Rey.

Së fundmi, edhe një tjetër përhapje dezinformimi ka marrë vëmendje, ku thuhej se Macron kishte përdorur drogë në një takim me kancelarin gjerman Friedrich Merz, gjë që rezultoi të ishte një thjesht një faculetë në tryezën e takimit.

Revista e ekstremit të djathtë që nisi këto spekulime ka publikuar në total nëntë numra kushtuar Brigitte Macron-it, pesë prej të cilëve në vjeshtën e vitit 2021 dhe të tjerë në fillim të 2022.

Edhe në fund të vitit 2023, revista vazhdoi me tituj si “Rasti Jean-Michel Trogneux”, duke ushqyer më tej këtë fushatë konspirative.



Lexoni të gjitha në Bota Sot