Në pritje të zhvillimeve për trajnerin e ri dhe për të përcaktuar të ardhmen e Dusan Vlahovic dhe Randal Kolo Muani, Juventus ka nisur lëvizjet konkrete në merkato për të përforcuar repartin ofensiv.
Drejtori sportiv Cristiano Giuntoli ka kohë që ka vendosur Victor Osimhen si objektivin kryesor, por kërkesat e larta të Aurelio De Laurentiis e bëjnë të vështirë një marrëveshje me Napolin për sulmuesin nigerian.
Për këtë arsye, në Continassa po analizohen alternativa të tjera interesante si nga ana teknike ashtu edhe ekonomike.
Një prej emrave më të përfolur është ai i sulmuesit suedez Viktor Gyokeres, autor i një sezoni të jashtëzakonshëm me Sportingun e Lisbonës: 54 gola dhe 13 asistime në 52 ndeshje.
Profili i tij po shihet me shumë kujdes nga bardhezinjtë, sidomos nëse Antonio Conte do të ulet në pankinën e Juventusit. Kujtojmë që Conte e kishte kërkuar Gyokeres që verën e kaluar për Napolin si zëvendësues të mundshëm të Osimhen.
Çmimi i kartonit dhe kërkesat për pagën e tij e bëjnë Gyokeres një opsion më të përballueshëm krahasuar me Osimhen, duke e kthyer në një kandidaturë shumë serioze për fazën sulmuese të Juventusit të ardhshëm.
Ndërkohë, Giuntoli po shqyrton edhe pista të tjera, përfshirë atë të talentit brazilian të Real Madrid, Endrick.
Për shkak të konkurrencës së madhe në skuadrën “Los Blancos” dhe me miratimin e trajnerit të ardhshëm Xabi Alonso, është e mundur që Endrick të largohet përkohësisht nga Madridi, por vetëm në formë huazimi, pasi presidenti Florentino Perez nuk dëshiron ta shesë lojtarin përfundimisht..