Arne Slot ka vendosur të mos marrë pjesë në ceremoninë në Londër, ku do të merrte çmimin e Menaxherit të Vitit të Shoqatës së Menaxherëve të Ligës, si një shfaqje “solidariteti” me 65 personat e plagosur kur një makinë u përplas në një turmë që festonte fitoren e të kuqve në Premier League në Liverpool.
Në një letër Slot flet për një vendim që “nuk u mor lehtë, por që unë e konsideroj absolutisht të drejtë duke pasur parasysh peshën e situatës”. “Futbolli”, shtoi ai, “është dhe duhet të jetë gjithmonë një sport i bazuar në rivalitet, por është gjithashtu një burim i madh vëllazërie, veçanërisht në kohë si kjo”.
Slot gjithashtu nuk i kurseu lavdet për shërbimet e urgjencës, autoritetet e Liverpool dhe tifozët e kalimtarët që ndihmuan njëri-tjetrin në një kohë nevoje.
“Mendoj se të gjithë të përfshirët meritojnë mirënjohjen e të gjithëve ne”, përfundoi Slot, i cili përveç çmimit LMA u emërua edhe trajneri i sezonit në Premier League.