Pas zhgënjimit për titullin në njërën anë dhe festës për Kupën e Francës në tjetrën, Interi dhe Paris Saint-Germain mund të përqendrohen tashmë plotësisht te takimi më i rëndësishëm i vitit.
Finalja e Champions League është vetëm tri ditë larg dhe si Simone Inzaghi ashtu edhe Luis Enrique po përgatitin në detajet e fundit ekipet e tyre në aspektin fizik, taktik dhe psikologjik për të mbërritur në formën më të mirë në përballjen me historinë.
Lajmi i mirë për të dy trajnerët është se të gjithë lojtarët janë rikthyer në stërvitje me grupin.
Interi është stërvitur për të tretën ditë radhazi në Pinetina, duke ndjekur programin atletik pa pengesa në prag të sfidës në Mynih.
ë seancën e mëngjesit, nën drejtimin e Inzaghit dhe stafit të tij, kanë marrë pjesë edhe dy lojtarët për të cilët kishte dyshime: Zielinski dhe Pavard.
Kështu, trajneri zikaltër ka në dispozicion të gjithë skuadrën dhe lirinë maksimale për të vendosur si do të përballet me ekipin francez.
Dilema kryesore mbetet mes Bisseck dhe francezit në treshen e mbrojtjes, ndërsa polaku Zielinski paraqitet si një alternativë cilësore gjatë lojës.
E njëjta situatë edhe në Paris. Khvicha Kvaratskhelia, i cili mungoi në finalen e Kupës së Francës për shkak të një migrene, është rikthyer të stërvitet rregullisht me skuadrën.
Grupi i Luis Enriques është i plotë, me përjashtim të Kimpembé, i cili pas dëmtimit të rëndë në tendinën e Akilit dhe rrugës së gjatë të rikuperimit, është ndalur sërish për shkak të një problemi në këmbën e djathtë.
Formacionet e mundshme për finalen PSG–Inter:
PSG: Donnarumma; Hakimi, Marquinhos, Pacho, Nuno Mendes; Vitinha, Joao Neves, Fabian Ruiz; Doué, Dembélé, Kvaratskhelia.
INTER: Sommer; Pavard, Acerbi, Bastoni; Dumfries, Barella, Calhanoglu, Mkhitaryan, Dimarco; Thuram, Lautaro.