Turqia dhe Rusia diskutojnë një ndër projektet më të mëdha energjetike të Turqisë

- Bota Sot

Turqia dhe Rusia diskutojnë një ndër projektet më të mëdha energjetike të Turqisë

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, zhvilloi një takim dyditor në Moskë me Presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilit diskutoi çështje të rëndësishme dypalëshe, përfshirë financimin e projektit për ndërtimin e centralit të parë bërthamor të Turqisë, Akkuyu.

“Diskutuam mënyrat për të zgjidhur çështjet e financimit të Akkuyu-t. Ka sanksione dhe disa probleme që rrjedhin nga kjo. Ne jemi një vend që eksporton produkte industriale dhe kemi nevojë për energji. Sa më shumë energji elektrike të kemi, aq më e lirë do të jetë, aq më konkurrues mund të jemi,” u shpreh ministri Fidan pas takimit.

Centrali bërthamor Akkuyu po ndërtohet nga korporata shtetërore ruse Rosatom dhe përfaqëson një ndër projektet më të mëdha energjetike në historinë e Turqisë. Ai përfshin ndërtimin e katër reaktorëve bërthamorë të tipit VVER të gjeneratës 3+, secili me kapacitet prodhues prej 1,200 megavatësh termikë (MWt).

Projekti ka hasur në vonesa dhe sfida të lidhura me sanksionet ndërkombëtare, si dhe me çështje teknike dhe financiare. Megjithatë, Ankaraja e konsideron centralin një element kyç për të përmbushur nevojat e saj gjithnjë në rritje për energji dhe për të forcuar pavarësinë energjetike të vendit.

Vizita e ministrit turk vjen në një moment kur marrëdhëniet Turqi-Rusi po luajnë një rol të rëndësishëm në arkitekturën e re energjetike dhe gjeopolitike të rajonit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot