Rusia ka kryer një sulm të madh me dronë në Harkiv të Ukrainës, teksa i dërguari i posaçëm i Donald Trumpit, Keith Kellogg, tha se presidenti amerikan po “zemërohet” gjithnjë e më shumë me homologun e tij rus, Vladimir Putin, lidhur me vonesat e arritjes së një armëpushimi, që do të ndihmonte në dhënien fund të konfliktit më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Oleh Syniehubov, kreu i rajonit të Harkivit – që gjendet në kufi me Rusinë – tha përmes një postimi në Telegram se të paktën tetë persona janë plagosur, përfshirë dy fëmijë, nga sulmi që ndodhi mëngjesin e 30 majit. Kryetari i këtij rajoni, Ihor Terekhov, tha se sulmi shënjestroi “një ndërmarrje komunale”, duke mos dhënë më shumë detaje.
Në javët e fundit, Rusia ka kryer sulme të vazhdueshme, teksa janë intensifikuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi me qëllim që t’i hapet rruga një plani gjithëpërfshirës të paqes për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës, që nisi më 2022.
Në prill, Ukraina u pajtua me propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor, por Rusia e ka refuzuar planin dhe shumë aleatë të Ukrainës e kanë akuzuar Putinin se po tenton ta zvarrisë procesin në mënyrë që të përfitojë nga situata aktuale në fushëbetejë, ku Rusia ka bërë përparime në territoret që pretendon se i ka nën kontroll.
Shumica e shkatërrimeve janë përreth ndërtesave civile, të cilat Rusia pretendon se nuk i shënjestron, pavarësisht dëshmive të shumta që tregojnë të kundërtën.
“Zemërimi i tij [Trumpit] është se ai ka paraqitur disa propozime të arsyeshme dhe ka bërë diskutime të arsyeshme dhe ai sheh një nivel të paarsyeshmërisë [nga Putini] që vërtetë e zemëron atë. Më zemëron edhe mua”, tha Kellogg në një intervistë për ABC News.
Trump, që e ka bërë prioritet të politikës së tij të jashtme arritjen e një marrëveshjeje të paqes, paralajmëroi më 28 maj se do të vendoste “brenda dy javësh” nëse Putini është serioz lidhur me ndaljen e luftimeve.
Moska tha më 30 maj se do të dërgojë një ekip negociatorësh në Stamboll më 2 qershor për një rund të dytë të mundshëm të bisedimeve të drejtpërdrejta me Ukrainën, edhe pse Kievi ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë.
Kellogg tha gjatë intervistës për ABC se zyrtarët nga SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Britania do të jenë në Stamboll më 2 qershor, kur mund të mbahet takimi mes delegacionit rus dhe atij ukrainas.
Rusia ka thënë se do ta përdorë këtë takim për të prezantuar një “memorandum”, ku do të përfshihen kushtet për një marrëveshje të paqes. Një këshilltar i lartë i presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se Kievi është i gatshëm të marrë pjesë në takim, por dëshiron të shohë fillimisht propozimet e Rusisë sa i përket përfundimit të luftës.
Delegacioni rus mund të udhëhiqet nga Vladimir Medinsky, politolog rus dhe ish-ministër i Kulturës, i cili udhëhoqi ekipin negociues të Rusisë në rundin e parë të bisedimeve të drejtpërdrejta më 16 maj./REL