Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak1

- Bota Sot

Shqip do flitet, shqip do shkruhet edhe në Sanxhak1

Përmbi za që lshon bylbyli,

gjuha shqipe mshungullon;

përmbi er që jep zymbyli, 

pa da zemrën ma ngushllon. 

(Ndre Mjeda)

Gjuha jonë sa e mirë.

sa e ëmbël, sa e gjërë

sa e lehtë, sa e dlirë,

Sa e bukur, sa e vlerë

(Naim Frashëri)

Amina Nuraj, kryetare e zyrës së Këshillit Kombëtar Shqiptar në Sanxhak dhe aktiviste e njohur tashmë, anë e mbanë trojeve shqiptare dhe jo vetëm, e çështjes kombëtare shqiptare në Sanxhak, njoftoi ditët e fundit në faqën e saj të rrjeteve sociale se, “Sot filloi kursi i gjuhës shqipe i financuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Beograd”, në bashkrendim me Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, ndërkohë që ajo falënderon ambasadorin e Shqipërisë, Z. Bardhyl Canaj për ndihmën: “Faleminderit Atdhe!”

Duke marrë parasysh historinë e mohimit të të gjitha të drejtave themelore të shqiptarëve të asaj krahine nën Serbi – përfshir mësimin e gjuhës shqipe, të kulturës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve atje, por dhe masave të egra e barbare të regjimeve serbe për asimilimin e shqiptarëve të Sanxhakut – ky njoftim aq i mirëpritur ka habitur për mirë edhe Amina Nuraj e cila shkruan se më në fund “Shkronjat e alfabetit tonë në Sanzhak”, po u mësohen fëmijve shqiptarë atje. Mos qofsha gabim është hera e parë që ofrohet një kurs për mësimin e gjuhës shqipe në Sanzhak, që nga koha kur Ernest Koliqi, si Ministër i Arsimit i Shqipërisë në vitet 1941-44 ka dërguar mësues anë e mbanë trojeve shqiptatre, përfshir Sanxhakun, për tu mësuar gjuhën shqipe banorëve shqiptarë të atyre anëve. Frank Shkreli: Amaneti i Ernest Koliqit dhe roli i tij në hapjen e shkollave shqipe “Nëse dikush do të më kishte thënë se pas trembëdhjetë vjetësh do të isha në gjëndje të hapja një zyrë të Këshillit Kombëtar Shqiptar në Pazarin e Ri (Novi Pazar) dhe se një vit më vonë do të fillonim një kurs të gjuhës shqipe, nuk do ta kisha besuar, kurrë”, është shprehur këto ditë aktvistja e njohur e të drejtave të shqiptarëve në Sanzhak. Duke shtuar se, “Jam e lumtur sepse fëmijët e Sanzhakut nuk kanë nevojë të kalojnë nepër ato që kalova unë dhe nuk kanë nevojë të mësojnë gjuhën e tyre amëtare nepërmjet internetit, siç bëra unë. Dikur ishte vetëm një ëndërr për mua, por sot e jetoj atë ëndërr dhe çdo ditë pëpiqem të jem sa më aktive që të jetë e mundur dhe një bijë e Atdheut tim, bijë që e meriton Atdheu im”, shprehet Amina Nuraj.

Për fat të keq, Sanxhaku me rrethe ka qenë -- ndonëse historikisht -- i banuar me shumicë shqiptare, politika e egër asimiluse e zbatuar nga Jugosllavia monarkisto-fashiste-komuniste gjatë dekadave, regjimet serbe me politikat e tyre barbare, kanë detyruar shqiptarët të asimilohen në një “kombësi” artificiale të ashtuquajtur “boshnjake”, duke i regjistruar shqiptarët autoktonë, si të tillë, ose si myslimanë serb me shtetësi serbe. Vërejtsit e të drejtave të njeriut gjatë viteve kanë konstatuar se gjatë dekadave nën komunizëm, shqiptarët e Sanxhakut, mund të kenë qenë ndër më të disskriminuarit e grupeve etnike në Serbi dhe ish-Jugosllavi. Sot e kësaj dite, po të deklarohesh shqiptar në Sanxhak, mundësitë për një punë në shtet ose administratë janë 0, sipas vërejtësve të të drejtave të njeriut në ato anë. Por, lajmi sot për fillimin sado modest të kursit për mësimin e gjuhës shqipe në Sanzhak, është një lajm i mirë, nëqoftse regjimi serb në Beograd lejon më në fund qqë edhe shqiptarët e asaj krahine të gëzojnë të drejtat e tyre kombëtare, siç është mësimi dhe përdorimi i gjuhës amëtare në jetën e përditshme.

Sidoqoftë, Ernest Koliqi, Rexhep Krasniqi dhe shumë burra të kohës së tyre që, pothuaj një shekull më parë, dërguan mësues nga e gjithë Shqipëria për të hapur shkollat shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshir Sanxhakun, gëzohen dhe duatrokisin sot fillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Sanxhak, me shpresën për hapjen, eventualisht, zyrtare të shkollave të rregullta shqip për shqiptarët e asaj zone me një numër prej pothuaj 400-mijë, megjithse shumica të asimiluar, por gjithnjë, në zemër e mendje, e ndjejnë veten shqiptarë. Sado fillim modest që t’i duket dikujt, fillimin e mësimit të gjuhës shqipe në Sanzhak, Profesor Ernest Koliqi -- mbështetsi dhe e promovuesi i mësimit të gjuhës shqipe anë e mbanë trojeve shqiptare -- do ta quante si një prej “krojeve të reja në Parnazin Shqiptar”.

Uroj dhe i lutem Zotit që kjo nismë të shënojë fate të mira për të gjithë, përfshir aktivisten Amina Nuraj, sidomos për pjesëmarrësit e parë, një nismë kjo që mund të quhet historike. Por, në veçanti të jetë një ogur i mirë për përhapjen e kulturës dhe të gjuhës shqipe, në mbrojtje të identitetit kombëtar të shqiptarëve autoktonë të asaj krahine, nën Serbinë.

Amina Nuraj “Familja e babait tim e ka origjinën nga Rugova, fisi Shkreli, i ardhur në Guci në vitin 1680 dhe në Pazarin e Ri më 1717 – dy vëllezër dhe një motër. Gjyshja ime (nëna e babës) dhe familja e saj janë me fis nga Dukagjin, të njohur nga Kosova, gjithashtu. Gjyshja ime (nëna e nenës është nga Kaçapori i Rozhajës, nga fis Kuçi. Ndërsa Gjyshi (baba i nënës është nga familja Shaqiri e Bijelo Poljës”, ka shkruar Amina Nuraj në faqën e saj Fejsbuk, duke shpjeguar prejardhjen e familjes së saj).



Lexoni të gjitha në Bota Sot