Përdoruesi më i ri i drogës në Maqedoninë e Veriut është nën moshën 6 vjeçare. Të dhënat shqetësuese janë publikuar nga zyra e Avokatit të Popullit në Maqedoninë e Veriut pas analizave të kryera.
Nga të dhënat e policisë për vitin 2023 dhe gjysmën e parë të 2024-ës, janë evidentuar rreth 130 fëmijë përdorues droge, kryesisht marijuanë dhe amfetaminë.
“Sipas të dhënave që i kemi marrë nga të 8 sektorët e Ministrisë së Punëve të Brendshme pa diskutim kanë evidentuar fëmijë përdorues të drogës. Në vititn 2023 ishin 85 gjithsej dhe në qershor të 2024-ës ishin 45 raste të reja, pra 130 fëmijë përdorues të drogës janë evidentuar në sektorët për punë të brendshme. Lloji më i shpeshtë i drogës që e përdorin janë marijuana dhe amfetamina, ndërsa më pak ekstaza dhe heroinë. Shqetëson e dhëna se ka pasur fëmijë nën moshën 6 vjeçare”, tha zëdhënësja e Avokatit të Popullit, Vaska Bajramovska Mustafa.
Sipas Avokatit të Popullit, pjesa më e madhe e fëmijëve janë të përkatësisë etnike maqedonase dhe shqiptare, ndërsa në numër më të vogël të përkatësisë etnike rome, turke dhe serbe.
Në këto kushte Avokati i Popullit kërkon krijimin e një programi kombëtar për trajtim dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për të adresuar këtë problem në rritje.