Rusia ka rritur ndjeshëm sulmet me raketa dhe dron në Ukrainën këtë muaj për të thyer moralin e popullatës, duke rritur intensitetin e sulmeve tokësore pothuajse në të gjithë vijën e frontit, paralajmërojnë zyrtarët dhe analistët ukrainas.
Forcat ukrainase janë tërhequr nga pjesë të Donetsk dhe disa zona rurale në jug kanë humbur. Por strategjia e Ukrainës për tu mbështetur në përdorimin me shumë shtresa të dronëve është dëshmuar shumë efektive. Kievi po u shkakton humbje të mëdha rusëve, ndërsa lufta hyn në verën e saj të katërt.
Ukraina po zhvillon me shpejtësi industrinë e saj të dronëve me qëllim të krijimit të korridoreve mbrojtëse në front, i ashtuquajturi mur i dronëve. Është një seri sistemesh që mbulojnë pjesë të cenueshme të frontit dhe mundësojnë zbulimin dhe shkatërrimin e shpejtë të objektivave të armikut, shkruan CNN, përcjell KosovaPress.
Në të njëjtën kohë, Kremlini ka shumëfishuar prodhimin e dronëve dhe raketave, gjë që i lejon të kryejë sulme me qindra dronë për të mposhtur mbrojtjen ajrore të Ukrainës dhe për të mundësuar sulme të suksesshme raketore.
Në tokë, forcat ruse po testojnë mbrojtjen ukrainase në drejtime të shumta, nga Zaporizhzhia në jug deri në rajonin Sumy në veri, duke përdorur grupe të vogla këmbësorie, motoçikletash dhe automjetesh personale.
Sipas Institutit për Studimin e Luftës në Uashington, rusët aktualisht po zënë mesatarisht rreth 14 kilometra katrorë në ditë. Me këtë ritëm, do të duheshin pothuajse katër vjet për të rimarrë plotësisht rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhia, të cilat Moska i aneksoi ilegalisht.
Ndërsa Donetsk mbetet objektivi kryesor, forcat ruse po kërkojnë të kapin qytetet Konstantinivka dhe Pokrovsk, dhe Ministria ruse e Mbrojtjes pretendon se ka pushtuar një fshat në jug të Konstantinivkës.
“Përpjekja kryesore ruse gjatë verës do të përqendrohet sërish në këto dy qytete kyçe”, tha Jack Watling, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin RUSI për Studimet e Mbrojtjes me qendër në Londër.
Instituti për Studimin e Luftës vlerëson se forcat ruse kanë kapur rreth 65 kilometra katrorë territor, por atyre u mungon kapaciteti për të kryer ofensiva intensive.
Presidenti Volodymyr Zelensky tha se Rusia po grumbullon më shumë se 50.000 trupa dhe po përpiqet të krijojë një "zonë sigurie" 10 kilometra të thellë brenda Ukrainës.
Më 21 maj, Kremlini urdhëroi krijimin e zonave tampon në Sumy dhe Kharkiv, pasi forcat ukrainase morën shkurtimisht territorin rus Sumy verën e kaluar. Megjithëse qendra rajonale Sumy është e vështirë për tu kapur për shkak të terrenit të pyllëzuar, sulmet ruse e kanë bërë të pamundur dëbimin e forcave ukrainase në Donbass.
Në një front prej mijëra kilometrash, thonë analistët, ushtria ukrainase duhet të vlerësojë vazhdimisht se cilat pjesë të fushës së betejës janë më të cenueshme, ku të tërhiqen dhe ku të ri-vendosen njësitë, në një kohë kur shumë brigada janë varfëruar seriozisht në personel, më shumë se tre vjet pas fillimit të pushtimit rus.
Shefi i ushtrisë ukrainase Oleksandr Syrsky tha në fillim të këtij muaji se Kievi aktualisht po përballet me një forcë armike të kombinuar deri në 640 mijë njerëz, më shumë se në fillim të pushtimit.
Zelensky tha në janar se Ukraina kishte 880 mijë trupa, por theksoi se ata po mbronin të gjithë territorin, ndërsa rusët ishin të përqendruara në drejtime specifike. Për çdo kilometër të territorit të Ukrainës të cilën Rusia e okupon, sipas vlerësimeve perëndimore, Moska ndoshta humb rreth 100 njerëz.
Në Donbas, përparimi rus bazohet në taktikën e ndërprerjes së linjave të furnizimit të Ukrainës. Dronët përdoren për të shkatërruar mjete logjistike deri në 30 kilometra nga vija e betejës.
Strategjia e murit të dronëve të Ukrainës, siç e përshkruan analisti ushtarak Mick Ryan, përfshin një brez të vazhdueshëm mbrojtës të vijës së parë të integruar me luftën elektronike të ndihmuar nga inteligjenca artificiale.
Analisti Konrad Muzyka deklaron se ukrainasit po koordinojnë gjithnjë e më shumë dronët dhe artilerinë, duke ndaluar kështu sulmet ruse, duke përfshirë ato që përdorin motoçikleta dhe mjete të blinduara, për shembull në prill, me humbje minimale të tyre.
Watling nga ISW paralajmëron se muajt e ardhshëm do të varen nga efektiviteti i koordinimit të dronëve dhe artilerisë së Ukrainës.
Sipas ISW, Putin po përpiqet me dëshpërim të parandalojë vazhdimin e ndihmës ushtarake perëndimore, pasi forcat ukrainase të pajisura mirë deri më tani kanë shkaktuar me sukses humbje të mëdha në ushtrinë ruse.
Në këtë luftë, taktikat, inovacioni dhe përshtatshmëria janë shpesh më të rëndësishme se fuqia ushtarake.