Dragan Stojkioviç u shfaq i tensionuar para ndeshjes që Serbia do të luajë përballë Shqipërisë. Trajneri serb u pyet për emrat që i mungojnë listës, gjë që nuk e priti mirë.
Përsa i përket udhëtimit në Tiranë, Stojkoviç ishte i qetë. Tekniku i Serbisë prek faktin e organizimit të përbashkët të Europianit U-21.
“E dini si është, është një ndeshje jashtëzakonisht e rëndësishme si për ta ashtu edhe për ne, por në fund të fundit është vetëm një ndeshje. Ata janë miqtë tonë në futboll dhe ata me të cilët do të organizojmë Europianin për të rinj.
Nuk na interesojnë aspak tensionet politike, mesazhet e tifozëve apo deklaratat e çmendura të disave që duan të krijojnë një gjendje lufte. Jam i bindur dhe besoj se do të kemi një mikpritje të shkëlqyer dhe se organizimi do të jetë në nivel të lartë. Ashtu siç do të kenë edhe ata kur të vijnë për ndeshjen e kthimit.
Atmosfera në tribuna do të jetë e mirë, pse të mos jetë? Mendoni se parisienët ishin të sjellshëm dhe miqësorë ndaj tifozëve të Interit dhe anasjelltas? Në fund, fusha është ajo që do të vendosë rezultatin. Natyrisht, e konsideroj Shqipërinë një skuadër cilësore, por kjo nuk do të thotë që Serbia po shkon atje për t’u mbrojtur apo me flamur të bardhë”, u shpreh trajneri i Serbisë.