Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar se procesi i shortit elektronik për përzgjedhjen e tifozëve që do të kenë të drejtë të blejnë bileta për ndeshjen Shqipëri–Serbi do të zgjasë deri më 3-4 qershor.
Zgjatja u bë për shkak të numrit të madh të aplikimeve dhe ngarkesës së platformës, thuhet në deklarimin e FSHF-së në Facebook.
“Procesi i shpërndarjes së biletave ka nisur, dhe një pjesë e aplikuesve që janë përzgjedhur si fitues nga shorti elektronik janë tashmë pajisur me bileta përmes platformës së dedikuar.
FSHF i bën thirrje të gjithë personave që kanë aplikuar për bileta të kontrollojnë në mënyrë të vazhdueshme adresat e tyre të emailit (si në Inbox ashtu edhe në Spam), për të parë nëse kanë marrë njoftim nga kompania T-Ticket, e cila menaxhon procesin zyrtar të shitjes së biletave.
Vetëm ata që do të përzgjidhen përmes shortit elektronik do të marrin një link të personalizuar për blerjen e biletave.
Nëse pas datës 4 qershor nuk merrni një email konfirmimi, kjo do të thotë që nuk jeni përzgjedhur nga shorti elektronik. Nuk do të dërgohet njoftim për ata që nuk janë përzgjedhur.
FSHF falënderon të gjithë tifozët për interesin dhe durimin, duke garantuar se çdo hap i këtij procesi po realizohet me transparencë të plotë dhe barazi për të gjithë aplikuesit”, shkruhet tutje në njoftimin e FSHF-së.