Morata dhe depresioni

- Bota Sot

Morata dhe depresioni

Alvaro Morata hap zemrën… Sulmuesi spanjoll ka folur sërish me sinqeritet të plotë për depresionin që e ka prekur gjatë viteve të fundit.

Ai e ka bërë këtë në programin “Day After” të platformës spanjolle “Movistar”, ku së shpejti do të transmetohet një dokumentar me titull “Morata: Nuk e dinë kush jam”. Aty do të tregohet sesi i përballoi ato momente të vështira.

“Siç e dini, së bashku me ‘Movistar Plus’ do të publikojmë një dokumentar që tregon pak nga ajo që kam përjetuar për një kohë të gjatë, derisa nuk mundesha më dhe mora telefonin për t’i thënë gruas, miqve, familjarëve, trajnerëve dhe shokëve të skuadrës time. U thashë të gjithëve se nuk isha mirë, se kisha një problem shumë serioz dhe se nuk isha në gjendje të vazhdoja.

Shpresoj që kjo t’ ndihmojë të gjithë ata që po kalojnë momente të ngjashme. Ka një pjesë të jetës sonë që nuk e shohim, ka probleme në jetën e të gjithëve, ndonjëherë as nuk e dimë pse. Mund të kemi gjithçka të bukur në botë, por ka një pjesë të mendjes sonë që nuk e kontrollojmë. Shpresoj që kjo të ndihmojë njerëzit të flasin për problemet e tyre dhe të mos kenë frikë t’i përballojnë ato”.

Morata ka vazhduar: “Kam qenë me shumë fat që hapa derën e zyrës së Cholo (Diego Simeone) dhe gjeta dikë, të cilit nuk i interesonte momenti, situata apo ndonjë gjë tjetër. Ai thjesht deshi të më ndihmonte. E njëjta gjë ndodhi me De la Fuente. Kam pasur fatin të telefonoj Iniesta dhe Bojan, ata u shqetësuan për mua çdo ditë gjatë asaj periudhe.

Nuk e kuptoja arsyen e gjërave. Kalova nga humnera më e errët që mund të imagjinohej, në fitimin e Kampionatit Europian. Falë familjes sime, gruas sime, shokëve të skuadrës dhe ndihmës së profesionistëve. Ndihem më i fortë kur flas për këtë problem dhe mendoj se mund të ndihmoj me atë që kam kaluar vetë”.

Më tej ka folur për mirëkuptimin që ka gjetur te kombëtarja: “Rodrigo nuk dinte asgjë dhe, në momentin që kuptoi se nuk isha vetja, më ndihmoi. E njëjta gjë edhe me Carvajal”.

Alvaro përfundoi kështu: “Ndoshta do të më kritikojnë më shumë pse kam folur për këtë temë, ose do të thonë se dua të ngjall keqardhje. Në fakt, unë thjesht dua të them se me ndihmën e profesionistëve, ia del edhe në kësi rastesh të vështira”.



Lexoni të gjitha në Bota Sot