Iker Casillas ka hedhur një “bombë” të vërtetë në rrjetet sociale, por më pas është tërhequr. Legjenda e Real Madridit dhe kombëtares spanjolle ka shpërndarë një mesazh enigmatik në “Instagram Stories”, të cilin e ka fshirë menjëherë pas postimit, por që nuk i ka shpëtuar syrit të ndjekësve të tij të shumtë.
Në mesazhin e tij, Casillas shkruante: “Nuk e kisha menduar kurrë të flisja për këtë. Në 30 vite si futbollist, ia kam treguar vetëm shumë pak vetave, por mendoj se tani është bukur ta ndaj me të gjithë.
Është pjesë e karrierës sime dhe besoj se ka ardhur momenti. Vetëm kështu mund të kuptohet sportisti që kam qenë. E di që disa do të më thonë të mos e tregoj, por ky është një vendim që më përket vetëm mua”.
Mesazhi u fshi shpejt, por jo përpara se të ruhej nga shumë prej 20 milionë ndjekësve të tij, duke ngritur një valë spekulimesh.
Gazetarë të njohur si Julio Maldonado ‘Maldini’ dhe “MisterChip” reaguan menjëherë. Maldini nënvizoi: “Nuk e prisja që Iker të bënte një hap të tillë në këtë pikë të jetës së tij. Çfarë bombe…”
“MisterChip” vazhdoi: “Jam i tronditur nga ajo që do të zbulojë Iker. Nëse do të tregojë atë që mendoj unë, mund të jetë diçka shumë e madhe. Supozoj se dikush e ka këshilluar ta fshijë”.
Çfarë mund të ketë dashur të ndajë me publikun Casillas? Për momentin, nuk ka asnjë sqarim zyrtar.
Ka shumë spekulime, mund të jetë një e vërtetë personale, një moment delikat i karrierës, ose ndoshta diçka që do të zbulohet së shpejti në një libër apo dokumentar. E qartë është se Casillas do të tregonte diçka me rëndësi, e pazakontë për publikun.
A do të guxojë ta ndajë me botën? Misteri mbetet i hapur…