Pas aksidentit të rëndë rrugor të ndodhur më 21 mars në Graçevicë, afër Brusit, ka ndërruar jetë edhe viktima e dytë nga kjo ngjarje tragjike. Bëhet fjalë për babain e një zyrtari të lartë të policisë së Beogradit, i cili nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra.
Ai ishte në gjendje kritike që nga dita e aksidentit dhe ishte duke u trajtuar në repartin e kujdesit intensiv në një spital në Beograd. Më 8 prill, kishte ndërruar jetë edhe bashkëshortja e tij – nëna e policit – e cila ishte lënduar rëndë në të njëjtin aksident.
Aksidenti, që u mori jetën të dy prindërve të zyrtarit policor, dyshohet se është shkaktuar nga Miloš Milenković, pjesëtar joformal i sigurimit të Milan Radoiçiqit.
Milenković, i cili është i njohur edhe për lidhjet me Radoiçiqin dhe për përfshirjen në raste të tjera penale, përfshirë aktakuzën për terrorizëm në Kosovë lidhur me sulmin në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë. Ndaj tij është hapur hetim nga Prokuroria Themelore Publike në Brus, por ai nuk është ndaluar.