Gjermania synon të ashpërsojë ligjin e emigracionit/ Planifikon shpalljen me dekret të vendeve të sigurta

- Bota Sot

Gjermania synon të ashpërsojë ligjin e emigracionit/ Planifikon shpalljen me dekret të vendeve të sigurta

Ministri i Brendshëm i Gjermanisë Alexander Dobrindt nga partia CSU ka paraqitur një plan të ri për ashpërsimin e ligjit të emigracionit, që parashikon shpalljen e vendeve të sigurta të origjinës përmes një dekreti qeveritar. Kjo nismë ka për qëllim të anashkalojë Bundesrat-in dhe të përshpejtojë ndjeshëm procedurat e azilit në vend. Sipas planit të Dobrindt, do të krijohet një ligj autorizues që i jep të drejtë qeverisë federale të nxjerrë vetë rregullore për vendet e sigurta, pa kaluar nëpër Bundestag dhe Këshillin Federal. Ky veprim vjen pasi në të kaluarën, përpjekje të ngjashme nga politikanë të së njëjtës parti si Horst Seehofer janë bllokuar pikërisht në Bundesrat.

Qeveria gjermane në marrëveshjen e saj të koalicionit ka përmendur qartë se synon të zgjerojë listën e vendeve të sigurta të origjinës dhe përmend si kandidatë Algjerinë Indinë Marokun dhe Tunizinë. Pasi një vend cilësohet si i sigurt autoritetet gjermane nuk janë të detyruara të analizojnë në thellësi çdo kërkesë për azil nga shtetasit e atij vendi dhe mund t’i refuzojnë ato më shpejt me arsyetimin se janë të pabazuara. Kjo ndikon edhe në procedurat gjyqësore të cilat mund të përfundojnë brenda 30 deri në 40 ditë në vend të rreth 21 muajve aktualë. Propozimi i Dobrindt përfshin edhe masa të tjera si heqja e detyrimit që refugjatët në paraburgim për dëbim të kenë përfaqësim ligjor, çka do të përshpejtonte më tej dëbimet.

Ndërsa Kushtetuta gjermane në nenin 16a përcakton se vendet e sigurta mund të përcaktohen vetëm me një ligj që kërkon miratimin e Bundesrat-it, Dobrindt mbështetet te ligji i BE-së që sipas ekspertëve ka përparësi në praktikë. Eksperti i migracionit Daniel Thym thekson se në realitet Kushtetuta luan vetëm një rol dytësor në çështjet e azilit, pasi shumica e mbrojtjes për refugjatët jepet përmes rregulloreve të BE-së. Në vitin 2024 vetëm 0.7 për qind e azilkërkuesve në Gjermani morën mbrojtje në bazë të Kushtetutës gjermane, ndërsa pjesa tjetër përfitoi mbrojtje si refugjatë përmes ligjit evropian.

Dobrindt nuk duket i gatshëm të presë deri në vitin 2026 kur pritet të hyjë në fuqi Rregullorja e Përbashkët e Procedurës së Azilit të BE-së dhe përpiqet të veprojë tani duke përdorur një hapësirë të lejuar nga një direktivë e BE-së e vitit 2013. Kjo direktivë u jep shteteve anëtare të drejtën që të përcaktojnë vetë vendet e sigurta përmes legjislacionit kombëtar për sa kohë respektohen kriteret bazë të të drejtave të njeriut.

Edhe pse shumica e azilkërkuesve që kanë ardhur në Gjermani në muajt e parë të vitit 2025 vijnë nga vende si Siria dhe Afganistani të cilat nuk mund të konsiderohen të sigurta mbetet të shihet në praktikë se për cilat vende do të zbatohet realisht kjo politikë e re. Megjithatë sinjalet nga landerët e udhëhequr nga të Gjelbrit dhe e Majta tregojnë se mund të ketë kundërshtime të ashpra ndaj këtij propozimi, ndaj qasja përmes dekretit synon t’i anashkalojë ato dhe të realizojë një qëllim të kahershëm të politikës gjermane për menaxhimin më efikas të migracionit.



Lexoni të gjitha në Bota Sot