Barcelona mund të marrë një dënim të rëndë nga UEFA për shkelje të rregullave të Fair Play Financiar.
Sipas raportimeve të “The Times”, organi mbikëqyrës i UEFA-s për kontrollin financiar të klubeve (CFCB) është duke shqyrtuar mundësinë e vendosjes së një mase disiplinore më të ashpër ndaj klubit katalanas, që mund të përfshijë edhe një penalizim në fazën e grupeve të edicionit të ardhshëm të Champions League.
Çfarë e rëndon situatën për Barcelonën është recidiva: klubi i drejtuar nga Joan Laporta kishte shkelur më parë rregulloret e CFCB-së, duke raportuar gabimisht të ardhurat, gjë që solli një gjobë prej 500 mijë eurosh.
Klubi katalanas kishte bërë ankesë në Tetor në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (TAS), por e humbi çështjen, me gjykatën që e quajti sanksionin si “relativisht të lehtë”.
Në arsyetimin e vendimit të TAS, CFCB theksonte: “Nëse Barcelona do të shkelë sërish rregullat gjatë monitorimit për sezonin 2023/24, do të konsiderohet rast i përsëritur dhe do të përballet me një masë disiplinore më të ashpër”.
Kjo ka rritur ndjeshëm shqetësimin në radhët e klubit dhe tifozëve.Në rrezik nuk është vetëm Barcelona.
Edhe klube të tjera si Aston Villa dhe Chelsea janë nën vëzhgim për tejkalimin e kufirit të lejuar të humbjeve – që është 60 milionë euro në një periudhë trevjeçare – por ndryshe nga Barcelona, këto klube janë në shkeljen e tyre të parë, çka nënkupton ndëshkime më të lehta si gjoba ose kufizime në merkato. Për Barcelonën, megjithatë, çdo penalizim në Champions do të ishte një goditje e rëndë si nga ana sportive dhe financiare.