Cesc Fabregas ka vendosur t’i qëndrojë besnik klubit italian Como, duke konfirmuar se nuk e ka ndërmend të largohet nga detyra e trajnerit, pavarësisht spekulimeve të shumta që e lidhin me stolin e lirë të Inter.
Ish-ylli i Arsenal, Barcelona dhe Chelsea ka bërë bujë në sezonin e fundit në Serie A, duke e udhëhequr Comon, ekip të cilin e ndihmoi të ngjitej në elitë, deri në vendin e dhjetë në renditje.
Suksesi i tij nuk ka kaluar pa u vërejtur nga klubet e mëdha italiane, përfshirë Inter, që mbeti pa trajner pasi Simone Inzaghi është larguar me marrëveshje të përbashkët këtë javë, pas një humbje 5-0 nga PSG në finalen e Chmapions League.
Por Fabregas e ka bërë të qartë se nuk ka ndërmend të largohet.
“Besoj shumë në projektin afatgjatë të Como. Kam ardhur këtu si lojtar dhe jam shumë, shumë i lumtur, sepse mund të punoj në mënyrën që dua”, ka deklaruar ai gjatë një konference në Londër.
Ndërkohë, "zikaltërit" janë në garë me kohën për të gjetur një trajner të ri para nisjes së Kupës së Botës për klube, që do të zhvillohet pas më pak se dy javësh.