OJQ “Tour Art”, e drejtuar nga Drita Sallauka – bashkëshortja e fotografit të kryetarit Shaqir Totaj, Agron Gërdella, ka përfituar 35 mijë euro nga komuna e Prizrenit. Opozita ka ngritur dyshime për konflikt interesi, ndërsa nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje. Insajderi ju sjell detaje
Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në komunën e Prizrenit me 23 maj kishte publikuar rezultatet e subvencioneve për Organizatat Joqeveritare dhe individëve nga fusha e Kulturës Rinisë dhe Sportit.
Tour Art është fituese e subvencionit prej 35 mijë euro.
Në pronësinë e kujt është OJQ Tour Art?
Shoqata Kulturore Tour Art, është në pronësinë e Drita Sallauka Gërdella.
Drita Sallauka është drejtore ekzekutive e kësaj shoqate.
Cila është lidhja mes drejtoreshës ekzekutive Drita Sallakua dhe pushtetit të kryetarit Shaqir Totaj në Komunën e Prizrenit?
Drita Sallauka është bashkëshortja e Agron Gerdellës.
Çifti kanë foto edhe bashkë nëpër rrjete sociale.
Agron Gërdella është fotograf i kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totajt dhe komunës.
Ai në profilin e tij ndan pamje të ndryshme të aktiviteteve të Prizren, foto e video të bëra nga ai.
Jo vetëm Gërdella, shpesh shfaqet edhe krah Totajt. Jo vetëm për detyra zyrtare, por duket se ka afërsi edhe shoqërore mes tyre.
Vetë Gërdella ka publikuar foto krah Shaqir Totajt, ku shihen në një sallë sporti, me veshje sportive duke luajtur basketball.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe asamblistja e VV’së në Prizren, Dafina Alishani.
Ajo ka ironizuar duke shkruar “taksat tona, dostat e tu”.
“OJQ Tour Art e cila ka përfituar 35,000 euro qenka e bashkëshortes së fotografit të Shaqir Totaj.
Bravo Shaqir, pas punësimeve të familjarëve vazhdo tash edhe me kabinet, dhuroja nga një subvencion.
Taksat tona, dostat e tu
*Në sistem të OJQ ve kjo OJQ figuron me email dhe numër të fotografit të Shaqir Totaj dhe është e formuar në vitin 2023″.
Gazeta Insajderi ka dërguar pyetje komunës së Prizrenit, dhe Agron Gerdelles, se a ka pasur ndonjë konflikt interesi, por deri në publikimin e këtij teksti nuk kanë kthyer përgjigje.