Vetëvendosje në Prizren ka përgënjeshtrua deklaratën e Kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, i cili sipas këtij subjekti politik, pretendoi se po ndërton një çerdhe në lagjen “Dardania”.
Në një komunikatë VV, sqaron se ky projekt është iniciuar nga Qeveria e Kosovës përmes MASHTI-t, e drejtuar nga ministrja Arbërie Nagavci, dhe ka vlerë prej 743.264 euro. Gurthemeli është vendosur në fillim të mandatit nga përfaqësues të Qeverisë dhe VV-së.
LVV-ja ka thënë se përvetësimi i këtij investimi nga komuna u cilësua si i pasinqertë dhe mashtrim për marketing personal.
Reagimi i plotë i LVV-së në Prizren:
Përgënjeshtrojmë deklaratën e Kryetarit të Komunës!
Kryetari në ikje ka deklaruar sot se po ndërton një çerdhe në lagjen “Dardania”. Kjo nuk është e vërtetë.
E vërteta është kjo:
Çerdhja publike në lagjen “Dardania” është projekt i Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, e drejtuar nga ministrja Arbërie Nagavci.
Gurthemeli i këtij projekti u vendos që në fillim të mandatit nga përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe Lëvizjes VETËVENDOSJE!, me një vlerë prej 743.264 euro, dhe për këtë ekziston dokumentacion zyrtar, publik dhe mediatik.
Përpjekja për ta përvetësuar këtë investim nga ana e Komunës është jo vetëm e pasinqertë, por edhe fyese për qytetarët e Prizrenit, të cilët meritojnë transparencë dhe përgjegjësi institucionale – jo mashtrime për marketing personal.
Ne do të vazhdojmë të punojmë që fondet publike të shkojnë aty ku duhen – dhe që meritat të ndahen me drejtësi.