Një përpjekje për të futur në mënyrë të paligjshme mjete monetare të padeklaruara në territorin e Republikës së Kosovës është parandaluar nga Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Policinë Kufitare.
Rasti është zbuluar në orët e hershme të mëngjesit në pikën kufitare të Vërmicës, kur një automjet që kishte hyrë në Kosovë dhe ishte deklaruar negativisht nga udhëtarët, u përzgjodh për kontroll të dytë të detajuar. Gjatë këtij kontrolli, zyrtarët doganorë kanë gjetur para të padeklaruara të fshehura në trupin e drejtuesit të automjetit dhe të një pasagjeri, me një shumë totale prej 55,000 euro.
Pas konsultimeve me prokurorin kujdestar, janë ndërmarrë veprimet procedurale të parashikuara me ligj. Në bazë të Kodit Doganor dhe të Akcizës, autoritetet kanë inicuar konfiskimin e 25% të shumës së padeklaruar, ndërsa pjesa tjetër e mjeteve është ndaluar përkohësisht deri në përfundimin e hetimeve.
Dogana e Kosovës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë obligimin ligjor për deklarimin e çdo shume mbi 10,000 euro në hyrje apo dalje nga territori i vendit. Mosdeklarimi i këtyre mjeteve përbën shkelje ligjore dhe i nënshtrohet masave ndëshkuese.