Për të ikur nga Ushtria e Republikës Sërpska, e cila në verën e vitit 1995 kishte marrë nën kontroll Srebrenicën, Fata Bektiq u nis me familjen e saj drejt Potoçarit - në kërkim të mbrojtjes në bazën e forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara.
Pasi mori informacionin se Srebrenica kishte “rënë”, ajo u largua nga shtëpia e saj në qytetin e lindjes, Bektiqi - dhjetë kilometra larg Srebrenicës - me bashkëshortin dhe tri vajzat e tyre, më 11 korrik.
Duke ecur drejt Fabrikës së Akumulatorëve, ku ishin të vendosur pjesëtarë të batalionit holandez, të gjithë arritën në Potoçari - përveç Fatës.
“U nisëm nëpër pyll, nëna ishte mbi kalë. Pak para se të arrinim në bazë, shpërtheu një predhë, duke na mbuluar me dhe. Nëna ra dhe kali iku me vrap. Nëna vdiq”, kujton sot vajza e saj, Behija Rotiq, teksa flet për Radion Evropa e Lirë.
Ajo thotë se kërkuan ndihmë në bazën e OKB-së, ndërsa nga Potoçari mbërritën disa burra që ia varrosën nënën.
“Shkuam të gjenim dikë, që të mos e linim aty. Dërguan katër burra, nuk e di se kush ishin. E varrosën. Dridhesha dhe qaja, kisha humbur gjithçka. Por, na u desh të vazhdonim për në bazë", thotë sot 58-vjeçarja.
Mbetjet mortore të Fatës u gjetën në një varr pranë Potoçarit në qershor të vitit 2021, ndërsa analiza e ADN-së dhe identifikimi përfunduan në janar të këtij viti.
Më 11 korrik, në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, Fata do të varroset si e vetmja grua mes shtatë viktimave që do të varrosen këtë vit.
Paratë në një kuti shkrepësesh
Gjatë sulmit në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995, forcat serbe vranë më shumë se 8.000 burra dhe djem dhe dëbuan më shumë se 25.000 gra, fëmijë dhe të moshuar.
Natën para 11 korrikut dhe rënies së Srebrenicës - qytet në lindje të Bosnje e Hercegovinës, që atëkohë kishte statusin e zonës së mbrojtur - mijëra banorë ikën drejt bazës së OKB-së, që ishte pesë kilometra larg qytetit.
Një ditë më vonë, Ushtria e Republikës Sërpska mori kontrollin e bazës.
Burrat u ndanë, ndërsa gratë, fëmijët dhe të moshuarit u transportuan me autobusë dhe kamionë në territorin që ishte nën kontrollin e Ushtrisë së Republikës së Bosnje e Hercegovinës.
Një vend në njërin prej kamionëve arritën ta gjenin Behija, dy motrat e saj dhe babai.
“Babai i kishte 300 marka gjermane në një kuti shkrepësesh. Ua dha që të na fusnin në kamion... dhe kështu shpëtuam”, rrëfen Behija.
Tri dekada më vonë, një fotografi e zverdhur në letërnjoftimin e vjetër nga koha e Jugosllavisë, është i vetmi kujtim që Behija ka nga nëna e saj, Fata.
Shtëpia e tyre familjare në Srebrenicë nuk u rindërtua kurrë.
Sipas të dhënave të Institutit për Personat e Zhdukur në Bosnje e Hercegovinë, në Qendrën Përkujtimore në Potoçari deri më tani janë varrosur 6.751 viktima të gjenocidit - mes tyre 27 gra.
Më e reja është Fatima Muhiq, e lindur më 13 korrik, 1995, ndërsa më e vjetra është Shaha Izmirlliq, e lindur në vitin 1901.
Vdekja në kolonë
Nga frika se do të vriteshin nëse do të shkonin në bazën e OKB-së, mijëra burra dhe djem, më 11 korrik 1995, u nisën përmes pyjeve drejt territorit të Tuzllës, që ishte nën kontrollin e Ushtrisë së Republikës së Bosnje e Hercegovinës.
Në kolonë nuk kishte pothuajse asnjë grua, përveç 22-vjeçares Hasima, e cila u nis në rrugë me bashkëshortin dhe vëllain e saj.
“Shumica e burrave shkuan nëpër pyll, dhe mezi ndonjë grua. Por, ajo refuzoi të shkonte në bazën e OKB-së në Potoçari dhe erdhi me ne në atë rrugë - nuk e di se si ta quaj, të vdekjes apo të shpëtimit”, thotë për Radion Evropa e Lirë vëllai i saj, Hasib Shpiodiq.
Nga sulmi i forcave serbe, kolona u nda në dy pjesë.
Hasima dhe burri i saj nuk mbijetuan. Trupat e tyre u gjetën në vitin 1996 dhe u varrosën në Qendrën Përkujtimore në Potoçari.
“Kishte prita dhe u ndamë. Në atë eksod, natën, ata humbën, u kapën dhe u vranë. U gjetën në vendin ku i humba, në rajonin Krajinoviqi. Me shumë mundësi u kapën dhe u vranë aty”, thotë Hasibi.
Pas 13 ditësh ecjeje nëpër pyll, ai arriti në Kallesi dhe thotë se “mbijetoi vetëm nga fati”.
Mijëra gra të zhdukura
Gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë, nga viti 1992 deri më 1995, 3.838 gra u zhdukën, sipas të dhënave të Institutit për Personat e Zhdukur të Bosnje e Hercegovinës.
Nga ky institut i thanë Radios Evropa e Lirë se 59 gra u zhdukën gjatë gjenocidit në Srebrenicë, në korrik të vitit 1995.
Kada Hotiq, anëtare e shoqatës “Lëvizja e Nënave të Enklavave të Srebrenicës dhe Zhepës”, thotë se është e vështirë të përcaktohet për secilën grua veç e veç mënyra se si ka vdekur.
“Secila ka historinë e vet. Shumë u morën me forcë, të rejat u përdhunuan dhe më pas u vranë... Shumë humbën jetën gjatë rrugës. Ato që mbijetuan, kanë trauma dhe është e vështirë të përshkruhet dhimbja e tyre”, thotë Hotiq për Radion Evropa e Lirë.
Në tri dekadat e fundit, më shumë se 50 persona u dënuan me rreth 780 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.
Në mesin e të dënuarve me burgim të përjetshëm janë presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska dhe komandanti i ushtrisë së atij entiteti, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.
Gjatë luftës së viteve ’90 në Bosnje e Hercegovinë, më shumë se 100.000 njerëz u vranë dhe më shumë se 32.000 u zhdukën.
Sot kërkohen ende eshtrat e 7.600 personave. Mes tyre janë edhe rreth një mijë viktima që nuk u gjetën pas gjenocidit në Srebrenicë./REL