Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka reaguar pas interesimit publik për kontratën 3 milionëshe të nënshkruar nga Qeveria për ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë, projekt për të cilin është vendosur gurthemeli nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Në një deklaratë, Prokuroria ka sqaruar se nuk është organ vlerësues apo miratues i projekteve infrastrukturore, por vepron vetëm në rastet kur ka dyshime për keqpërdorim të fondeve publike, në përputhje me mandatin e saj ligjor.
Bazuar në këtë, Prokuroria Speciale ka autorizuar Policinë e Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të konstatimit të drejtë të gjendjes faktike për të gjitha dyshimet lidhur me rastin, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Ky hetim nuk ka të bëjë me ndonjë kundërshtim ndaj projektit në fjalë, por me përmbushjen e obligimeve ligjore, në mbrojtje të interesit publik dhe sundimit të ligjit, në mënyrë që të garantohet një administrim i drejtë dhe ligjor i resurseve publike”, thuhet në njoftim.