Plani anti-gomone Starmer-Macron, mund të “mbytet” para se të aplikohet!

- Bota Sot

Plani anti-gomone Starmer-Macron, mund të “mbytet” para se të aplikohet!

Duket sikur karma do ndjekë kryeministrin britanik në planin e tij dëshpërues për frenimin e kalimeve ilegale dhe mbërritjen deri më tani të rreth 22 mijë emigrantëve me gomone nëpër La Mansh, siç bëri ai me planin e Ruandës nga ish-kryeministri Boris Johnson.

Skema pilot e arritur me dhimbje me presidentin francez Macron, në Londër, për “shkëmbim kokë më kokë” të rreth 50 emigrantëve në javë si fillim, që nënkupton 6 për qind të të ardhurve, kur 94 për qind të tjerët do t’i shpëtojnë përzevolit anglo-francez të hedhur në ujërat e La Manshit, me shumë gjasa do të sfidohet ligjërisht nga po të njëjtat shoqata pro emigrantëve që luftuan me sukses skemën e Boris Johnson për dërgimin e emigrantëve të mbërritur në Britani drejt shtetit afrikan të Ruandës, 9 orë larg nga Londra me avion.

Këtyre shoqatave mund t’u bashkohet, nëse kanë fat, edhe Komisioni Evropian, pasi Brukseli ka paralajmëruar se po e vlerëson nëse kjo skemë anglo-franceze përputhet me frymën dhe ligjin evropian, ndërkohë që qeveri si ajo italiane raportohet se kanë dyshime të mëdha për ligjshmërinë e një skeme të tillë rikthimi refugjatësh. Aq më tepër kur, nëse zbatohet kjo skemë, shumë emigrantë do mund të rikthehen në Itali.

Shoqata pro emigrantëve hodhën poshtë, nën nënqeshje, çdo sugjerim se një plan i tillë do të vepronte si faktor frenues për rikthimin e emigrantëve sërish drejt Francës, siç parashikohet në skemën pilot. Downing Street në Londër këmbëngul se plani kontravers “kokë më kokë” është një marrëveshje mbi baza të forta ligjore dhe se Brukseli e mbështet atë.

Me një verë përvëluese britanike, ku e premtja është regjistruar si 11 korriku më i nxehtë historikisht në Britani, dhe me ujëra të qeta në La Mansh, ku këto kohë mbi 600 emigrantë mbërrijnë thuajse çdo ditë me gomone nga Franca dhe kur sikur sot të fillojë një sfidë ligjore nga një emigrant nëpër gjykatat britanike, do të duhet rreth një vit që të shqyrtohet rekursi ligjor, Britania do të vazhdojë të mbetet, e një Zot e di për sa kohë, një breg detar, ku të ardhurit do jenë minimalisht 94 për qind më shumë se 6% e rikthyer.



Lexoni të gjitha në Bota Sot