Kualifikimi i Partizanit në Ligën e Konferencës do të vendoset më 17 korrik në “Air Albania”.
Ndeshja me Kaljun do të nisë në orën 20:00 dhe gjyqtar kryesor do të jetë Trustin Faruxha Kan.
Maltezi është emër i njohur për Shqipërinë, ndërsa ka stemën e FIFA-s prej vitit 2015. Profesioni i tij është inxhinier, teksa e shkuara e ka hasur me Kombëtaren e Shqipërisë dhe atë U-21.
Trustin Faruxha Kan ndau drejtësi në miqësoren që Shqipëria zhvilloi ndaj Spanjës. Ishte transferta e vitit 2022, që u humb me rezultatin 2-1 nga kuqezinjtë.
Ndërkohë, në nëntorin e vitit 2021, Kosova U-21 dhe Shqipëria U-21 përballeshin për kualifikueset e Europianit. “Dardanët” e vegjël fitonin me përmbysje dramatike(2-1), ndërsa të gjithë golat u shënuan në pjesën e dytë. Maltezi Dunkan Sultana dhe Mark Kiantar do të jenë respektivisht asistent i parë dhe i dytë për ndeshjen e korrikut të Partizanit në Europë. Glen Tona do të qëndrojë si gjyqtar i katërt.
TALIN- Eksperienca e Partizanit në Talin nuk ishte më e mira e mundshme. Të kuqtë patën pretendime për një penallti të mohuar në pjesën e parë ku protagonist ishte Malaj. Lojë dhe ndërhyrje të ashpra pothuajse gjatë gjithë kohës nga vendësit, ndërsa vetëm dy kartonë të verdhë për ta nga skocezi Ros Hardi.