Polici serb i drejtohet: Po luani në Skenderaj apo në Serbicë? Sinan Osmani i përgjigjet në dy gjuhë

- Bota Sot

Polici serb i drejtohet: Po luani në Skenderaj apo në Serbicë? Sinan Osmani i përgjigjet në dy gjuhë

Vitet e rezistencës (vitet e 80-ta) ndaj regjimit serb, janë vitet më të errëta, por edhe vitet me të lavdishme për faktin se asnjëherë nuk i ndalen aktivitetet e futbollit dhe sportit në kuadër të Republikës së Kosovës.

Sinan Osmani, emër i spikatur i futbollit të Kosovës, edhe pas 30 viteve emri i tij si trajner mbetet vulë e titullit të fundit për skuadrën me renome Liria e Prizrenit (edicioni 1994-1995).

Që nga ajo kohë, Liria nuk e ka shijuar ansjëherë titullin e kampionit.

Nga ana tjetër, Sinan Osmani, kujton kohën e represionit nga regjimi serb sidomos një rrugëtim drejt Skenderajt ku u maltretuan dhe u kërcënuan nga policia e okupatorit serb.

“Ishim duke shkuar në një ndeshje kampionale në Llaushë kundër KF Drenicës nga Skenderaj.

Në hyrje të Drenasit, para shkollës së mesme na ndalin 7-8 policë serbë të pajisur me armatim, automatika dhe antiplumb. 

Ata paraprakisht kanë qenë të informuar për udhëtimin tonë në Llaushë, por edhe ne kemi pas urdhër nga kryesia e KF Lirisë që në qoftë se na pyesin për ku po shkojmë të tregojmë të vërtetën dhe nëse nuk na lejojnë udhëtimin, të kthehemi prapë në Prizren”, kujton vitet e 90-ta Osmani.

Policia e okupatorit serb i pyeti drejtuesit e KF Lirisë: Kah po shkoni? Ndërsa trajneri i asaj kohe, Osmani, i përgjigjet: Për në Llaushë! 

“Këtu kishte një problem me të hyrë në autobus, ata na pyetën ku po shkojmë dhe unë mbasi që isha në rendin e parë, iu përgjigja:

Po shkojmë me luajt në Llaushë të Skenderajt. Unë aty gabova se ata ishin te irrituar me këtë përgjigje dhe me thonë:

Po luani në Skenderaj apo në Serbicë. Mbeta i shtangur sepse e thash shpejt pa menduar mirè.

Unë shpejt e shpejt u mundova të  sqaroj se në gjuhen shqipe ne e quajmë Skenderaj, kurse në gjuhën serbe është Serbicë.

Por policët ishin të irrituar dhe na i nxoren pajisjet sportive jashtë autobusit dhe na urdhëruan me dalë jashtë”, tregon Osmani.

Çfarë ndodhi pastaj?

“Ishte fati që anëtari i kryesisë Enver Besimi ishte mbrapa nesh me makinën private Fontera 2.4.

Ai u afrua dhe i zbuti policët me fjalë të qeta se ne do të kthehemi nëse ka nevojë. Për çudi ata përkundër ofendimeve që na bënën, na liruan që të vazhdojmë rrugëtimin tonë duke thënë se ata janë të njoftuar për këtë lojë dhe mbasi treguat drejt vazhdoni.

Ofendimet, kërcënimet nuk u ndalën por mbasi nuk pësuam dhunë, rrahje si në Gjinoc, kjo ishtë një dhuratë nga Zoti që shpëtuam”, ka përfunduar Osmani.



Lexoni të gjitha në Bota Sot