"Ky është më shumë se turné. Është lëvizje, si dhe përgjigje nga kudo nëpër Europë dhe përtej, që provon se futbolli i femrave do të vendosë standarde të reja”. Këto ishin fjalët e Nadine Kessler, ish-lojtare gjermane e njohur ndërkombëtarisht, e cila këtë herë ishte drejtoreshë e futbollit të femrave në UEFA, gjatë "Euro 2025”. Deklarata e saj nuk mund të kundërshtohet: UEFA tha se shiti më shumë bileta – që para nisjes së fazës së grupeve – se gjatë gjithë "Euro 2022”. Postimet në rrjetet sociale arritën në 55% dhe vlera e çmimit për fitueset është rritur me 156%, duke arritur shifrën e 41 milionë eurove.
Por edhe pse Polonia ia doli që të kualifikohej, lëvizja nuk ka përfshirë vende të tjera të Europës Lindore. Edhe pse fituan në ndeshjen finale brenda grupit kundër Danimarkës, Polonia doli nga faza e grupeve, ashtu siç ka ndodhur edhe me Ukrainën në vitin 2009 dhe pesë herë me Rusinë, që nga viti 1997 dhe deri në vitin 2022, kur u ndalua të marrë pjesë në garat e futbollit ndërkombëtar.
Ky është kontrast i fortë me futbollin e meshkujve, ku 11 nga 24 skuadrat e kualifikuara në Europianin e fundit për meshkuj që u organizua në Gjermani në vitin 2024, ishin nga Europa Lindore, pavarësisht se nuk patën rezultate të suksesshme. Kroacia ishte njëri prej ekipeve, i cili arriti deri në finalen e Kupës së Botës në vitin 2018 dhe katër vite më vonë shkoi deri në gjysmëfinale në Katar. Ekipi femëror i Kroacisë, nga ana tjetër, nuk ka mundur as t´i afrohet kualifikimet për ndonjë Europian apo Botëror.
Goran Ljubojevic, ish-trajner dhe tani drejtor sportiv i ekipit të femrave disa herë kampione, "ZNK Osijek” i tha DW se rajoni e ka nisur më vonë se të tjerët futbollin e femrave, rreth viteve ´90, dhe investimi ka qenë minimal. Por ai beson se edhe normat shoqërore e kanë penguar futbollin femëror.
"Lojë burrash”
"Problemi kulturor në vendet tona lidhet me faktin se njerëzit mendojnë se vajzat nuk duhet të luajnë futboll, se ato duhet të qëndrojnë në shtëpi dhe të jenë shtëpiake e gjëra të tilla” – i tha ai DW-së. Indeksi i Bashkimit European për Barazinë Gjinore, i publikuar në vitin 2024, e vërteton deri diku këtë, pasi shtetet lindore janë poshtë mesatares europiane. "Nuk e di nëse do të shohim ndonjëherë në Kroaci ndryshim të mentalitetit mashkullor, dhe nëse do ta pranojmë që futbolli i femrave të jetë në të njëtin nivel me atë të meshkujve, njësoj siç ndodh në Europën Perëndimore dhe Shtetet e bashkuara të Amerikës”.
Ljubojevic, i cili ka luajtur për "NK Osijek” dhe "Dinamo”-n e Zagrebit, thotë se stadiumet e tejmbushura dhe interesi gjithnjë e në rritje për turnétë e Europianit, kanë filluar të kenë ndikim në vendin e tij. "Njerëzit që ndoqën ndeshjet në kampioniatin Europian, panë stadiumet plot e përlot në Kupën e Botës në Australi dhe në Zelandën e Re në vitin 2023. Ata mbetën me gojë hapur dhe u habitën me interesin e madh që kishte për futbollin e vajzave. Dhe diçka ndryshoi në mendjet e tyre. Por megjithatë, infrastruktura nuk është ende ajo e duhura, në mënyrë që futbolli femëror të përmirësohet”.
Edhe pse janë më të suksesshmet në vendin e tyre, "ZNK Osijek” ndiqen nga shumë pak njerëz në stadium. Sipas Ljubojevic, talenti ekziston por mungon investimi për trajnerë, infrastrukturë dhe ka pagesa të pamjaftueshme për lojtaret, në mënyrë që ato të jenë profesioniste me kohë të plotë.
Buxhete në rritje
UEFA ka vënë në zbatim skema të reja në rajon gjatë viteve të fundit dhe ato kanë nisur të kenë ndikim, sipas profesorit Dariusz Wojtaszyn nga universiteti i Wroclaw në Poloni. "Gjatë viteve të fundit ka pasur shumë zhvillime pozitive. Ato janë nxitur nga nisma të UEFA-s dhe shoqatat vendase të futbollit, nisma të cilat edhe pse të ngadalta, kanë nisur të pranojnë potencialin e futbollit të vajzave” – tha për DW akademiku Wojtaszyn, i cili ka shkruar gjerësisht për futbollin e vajzave në Europën Lindore.
"Buxhetet në futbollin e vajzave janë rritur ndjeshëm (zakonisht më shumë se 100%) në të gjitha shtetet e Europës Lindore dhe Qendrore. Për këtë arsye, i shoh me shumë pozitivitet nismat e UEFA-s. Ato sjellin vërtet rezultate të prekshme”.
Përmes një përgjigjeje me shkrim, UEFA i tha Deutsche Welle-s se garat e rikonceptuara, përfshirë këtu "Ligën e Kampionëve” dhe "Ligën e Europës”, "kanë mundësuar që të gjitha garat dhe finalet të mbeten të hapura dhe të arritshme për klubet dhe ekipet e të gjitha shoqatave. Gjatë kësaj periudhe kemi parë performanca mbresëlënëse nga klubet e Europës Lindore në nivel klubesh dhe nivel kombëtar, edhe tek ekipet e të rinjve. Do të vijojmë bashkëpunimin me shoqatat përkatëse, me qëllim përmirësimin e performancës dhe zhvillimin e futbollit në nivel pan-Europian”.
Histori dhe politikë
Por Wojtaszyn mendon se politika rajonale ka qenë penguese. Edhe pse sistemet komuniste që qeverisën shumë nga këto vende deri në vitet 1990 vetëdeklaroheshin se respektonin barazinë gjinore, ato në fakt prodhuan "një model patriarkal të familjes dhe marrëdhenie shoqërore tradicionale, të cilat kufizuan mundësitë e emancipimit të grave” – argumenton akademiku. Rënia e komunizmit rrënjosi më pas probleme edhe më të mëdha. "Rënia e sistemit shtetëror të sponsorizimit që ka ekzistuar në dekadat e mëparshme, shkaktoi probleme ekonomike domethënëse për klubet e futbollit. Në kushte të tilla, futbolli i vajzave, i cili po ngjallte gjithnjë e më pak interes, e pati ekstremisht të vështirë të gjente sponsor në tregun e lirë, ku konkurrenca mashkullore ishte e madhe. Prandaj, ekipet filluan të vuanin financiarisht, grumbullimet u bënë gjithnjë e më të vështira dhe lojtaret femrat nisën të luanin sporte amatore”- thotë ai.
Në kohët më të vona, shton ai, rritja e partive të ekstremit të djathtë, në shtete si Rumania, Polonia, Sllovakia dhe Hungaria – dhe ringjallja e vlerave "tradicionale” që pasuan këtë rritje – e shndërruan futbollin profesionist në propozim jo-tërheqës për shumë gra. Edhe pse lojtareve të tij u duhet të bëjnë edhe punë të tjera për të siguruar jetesën, Ljubojevic ka shpresa të mëdha për të ardhmen, edhe pse është i bindur se nevojitet shumë investim dhe shkollim.
Shembuj frymëzues
"Kemi një numër shumë të madh talentesh, po aq sa kemi edhe në futbollin e meshkujve, por askush nuk i ka trajnuar ato siç duhet” – shprehet ai. "Do të jetë shumë herë më mirë në vitet e ardhshme. Po ju them se kemi talente fantastike, lojtare fantastike dhe ne (ZNK Osijek) po punojmë tashmë në nivele shumë të larta”.
Polonia parashikon rritje pjesëmarrjeje nga fushatat që ka ndërmarrë në kuadër të kampionit European. Trajnerja Nina Patalon parashikon rritje nga 30 mijë në 300 mijë lojtare femra në vendin e saj.
Ljubojevic mendon se Kroacisë dhe mbase edhe vendeve të tjera të rajonit u nevojitet diçka e ngjashme që të rrisin numrin e vajzave në futboll. Edhe pse Polonia nuk ia doli të shkojë më tutje në kampionatin e këtij viti, dhe asnjë shtet Europiano-lindor nuk ka aplikuar për vitin 2029, ai do të donte ta shihte Kroacinë si vendin e parë në rajon që mirëpret një turné të futbollit të vajzave. "Po, mund t´ia dalim mbanë. Por duhet ta marrim seriozisht. Federata, shteti, të gjithë. Duhen investuar kohë dhe pará. Futbolli femëror është vala e re që po vjen dhe ne duhet të notojmë. Por ende s´jemi duke notuar”./DW