Dita e premte, 25 korrik 2025, dhe e shtuna, 26 korrik 2025, do të mbeten historike për klimën në Kosovë, me temperatura rekorde të regjistruara në shumë pjesë të vendit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), më 25 korrik u shënua temperatura më e lartë ndonjëherë e regjistruar në Kosovë: 42.5°C në Klinë, duke thyer rekordin absolut të të gjitha kohërave.
Përveç Klinës, të premten u regjistruan edhe këto vlera ekstreme: 41.6°C në Han të Elezit (deri në orën 16:00), 41.0°C në Rahovec dhe Suharekë, 40.7°C në Gjakovë (deri në orën 14:00), 40.3°C në Prizren, 40.0°C në Leposaviq, 39.7°C në Kamenicë, 39.6°C në Gjilan, 39.0°C në Mitrovicë, 38.8°C në Istog dhe Komoran, 38.7°C në Skënderaj dhe 38.1°C në Aeroportin e Prishtinës (deri në orën 16:00).
Për krahasim, temperaturat më të larta të regjistruara më parë në Kosovë ishin: 40.8°C në Prizren (më 25 korrik 1987) dhe 40.6°C në Aeroportin e Prishtinës (më 24 korrik 2007).
Vala ekstreme e të nxehtit ka vazhduar edhe më 26 korrik, me vlera po ashtu historike, e cila mund të konsiderohet si më e nxehta në nivel vendi. Temperatura më e lartë u regjistrua në Han të Elezit, me 42.4°C. Sipas të dhënave më të fundit, në stacionin e IHMK-së në Prishtinë, temperatura maksimale ka arritur në 40.2°C, që është temperatura më e lartë e regjistruar ndonjëherë në kryeqytet prej që mbahen shënime pas Luftës së Dytë Botërore. Në Aeroportin e Prishtinës, temperatura u ngjit deri në 40.0°C, për 0.6°C më pak se rekordi i 24 korrikut 2007.
Vlera të larta janë regjistruar edhe në qytete të tjera të vendit: 41.7°C në Klinë, 41.7°C në Gjakovë, 41.6°C në Kamenicë, 41.3°C në Leposaviq, 41.2°C në Gjilan (40.8°C në Stacionin Personal Meteorologjik), 41.1°C në Rahovec, 40.7°C në Podujevë, 40.5°C në Mitrovicë dhe Istog, 40.3°C në Skënderaj, 39.7°C në Suharekë, 38.4 në Pejë, 37.7°C në Ferizaj, 37°C në Prizren.
Edhe zonat malore kanë shënuar temperatura të pazakonta: 33.0°C në Brod (para reshjeve që e ulën temperaturën në 20°C), 32.0°C në Brezovicë, dhe 34.7°C në Bajgorë.