Në hapjen madhështore të edicionit të 24-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit “DokuFest” në Prizren, ra në sy mungesa e kryetarit të Komunës, Shaqir Totaj – ndonëse festivali zhvillohet pikërisht në qytetin që ai drejton, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Në ceremoni mori pjesë kryeministri Albin Kurti, i cili vlerësoi festivalin si motor të zhvillimit kulturor, ekonomik e lokal dhe theksoi mbështetjen shtetërore institucionale më të lartën ndonjëherë që nga viti 2022.
Ndërkohë, organizatorët e DokuFest-it ditë më parë shprehën zhgënjim për uljen e përkrahjes financiare nga Komuna e Prizrenit për të dytin vit me radhë. Sipas tyre, pavarësisht rritjes së buxhetit të përgjithshëm për kulturë, përkrahja për festivalin është zvogëluar për gati 30%, duke përbërë më pak se 9% të buxhetit total të DokuFest-it.
Festivali, i cili çdo vit gjeneron miliona euro për ekonominë lokale dhe vendore, krijon vende pune, përfshin vullnetarë të rinj dhe e vendos Prizrenin në hartën kulturore ndërkombëtare, po përballet me indiferencë institucionale nga pushteti lokal.
“DokuFest-i ka sjellë përfitime të mëdha për qytetin: në vitin 2024 u raportuan mbi 16,700 vizitorë (5,000 ndërkombëtarë), qarkullimi i bizneseve u rrit me 29%, dhe çdo 1 euro publike ka kthyer 22.8 euro në ekonomi”, sqaroi Dokufesti.
Totaj duhet ta kuptojë se pozita publike kërkon prezencë në ngjarjet me peshë për qytetin – siç është DokuFest. Mospjesëmarrja e tij këtu bie në kontrast të thellë me praninë e shpeshtë në aktivitete të nivelit simbolik, si ditë shkollash ku udhëheqësit janë të preferuar dhe shpesh të njohur për servilizëm, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Nuk dihet nëse ka pasur ftesë zyrtare për të, por as nuk është justifikim. Kur në qytet ndodh një festival ndërkombëtar që sjell përfitime, promovon qytetin dhe përforcon imazhin kulturor, kryetari duhet të jetë prezent, jo të shfaqet vetëm atje ku ka ndonjë duartrokitje nga servilët.
Kjo sjellje reflekton mungesë serioze të vullnetit për të përkrahur vlerat kulturore dhe imazhin e qytetit që përfaqëson.
Asambleistja Dafina Alishani (LVV), ndër të parat që reagoi publikisht, tha se në hapje përmes mesazheve artistike, DokuFesti “kërkoi llogari” për subvencionet e pakta nga Komuna dhe i bëri me dije kryetarit Totaj se “Po ju shohim çka po bëni dhe çka po përzieni me taksat tona e me mundin tonë.”
“Prizreni meriton më mirë,” shtoi ajo. “Pushtetet vijnë e shkojnë, por DokuFesti mbetet aty në zemër të Prizrenit.
Ky edicion i Dokufest-tit nisi nga data 1 dhe mbahet deri më 9 gusht./ Gazeta e Prizrenit
P..S Foto nga Dokufest në Prizren
Lexo edhe:
Debakli i partisë së Shaqir Totajt, në qendrën e tij të preferuar