Në histori të pashkruara të futbollit shqiptar në Luginën e Preshevës, rrallë gjen figura si Qemal Kamberi, një njeri që nuk kërkoi asnjëherë lavdi, por në fushë shkëlqeu si një yll i heshtur. I lindur më 1 prill 1961 në fshatin Çukarkë, pak kilometra larg qytetit të Preshevës, ai do të njihej ndër bashkëkohësit si “Zico” i Preshevës, falë stilit të tij elegant, kontrollit të topit dhe shpirtit luftarak në lojë.
Çukarka – toka ku rriten kampionë Çukarka është një fshat i njohur për mikpritje, tokë pjellore, ujë të bollshëm dhe njerëz të thjeshtë e punëtorë. Në këtë mjedis u formua Qemali, duke kaluar ditën në punë të rëndë bujqësore dhe mbrëmjet në fushat e improvizuara të futbollit. Futbolli për të dhe bashkëmoshatarët ishte më shumë se lojë – ishte pjesë e jetës.
Prishtina zbret në Preshevë – dhe legjenda përballen Në fillim të viteve ’80, ndodhi një nga ndeshjet më të veçanta në historinë e Preshevës: klubi legjendar i Prishtinës, sapo kishte mundur Crvena Zvezdën në Beograd me rezultat 2:0, dhe vetëm një javë më vonë, zbriti në Preshevë për një miqësore ndaj ekipit Hajduku, ku luante Qemal Kamberi. Në atë ndeshje, stadiumi ishte i stërmbushur – një qytet i tërë priste të shihte përballjen ndaj një ekipi me emra tashmë legjendar si Fadil Vokrri, Kujtim Muriqi, Batroviqi, Shaban Shengyli, dhe të tjerë emra që do të shkruanin historinë e futbollit shqiptar. Ai kujton ekipin e tij me emra të mëdhenj.
Trajneri i Hajdukut z. Musa Musahu i kishte besuar Kamberit një detyrë të rëndësishme – të ruante Fadil Vokrrin, një nga sulmuesit më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohëve dhe z.Kamberi për sam24.info na tha: “Tre herë tentoi me kokë me shënu, por e pengova. Ai s’shënoi atë ditë,” kujton Kamberi me qetësi. Por ajo ndeshje nuk mbeti vetëm për faktin se Kamberi ruajti Vokrrin.
Në një moment kyç të lojës, ai mori topin dhe e gjuajti drejt portës kundërshtare – një pasim i saktë që u kthye në asist për golin e vetëm të ekipit të Preshevës, të cilin e realizoi bashkëlojtari i tij Buci (Bujar Veliu-Buci).
“E mbaj mend mirë. Ia dhashë topin dhe ai e futi në rrjetë. Goli erdhi nga ajo lëvizje, ishte moment i madh për ne.” Vokrri – legjenda që frymëzon brez pas brezi Qemal Kamberi flet me respekt të thellë për Fadil Vokrrin.
“Vokrri ishte legjendë dhe legjendë do të mbetet. Ai është frymëzim për gjenerata e gjenerata. Ne e admironim. Ta mbaje në fushë ishte sfidë, por edhe nder. Ishte një ndeshje që s’harrohet.” Respekti për kundërshtarin është pjesë e karakterit të Kamberit. Edhe pse e ndali Vokrrin atë ditë, ai nuk e shikon veten më lart – përkundrazi, e sheh si një përballje që e nderoi dhe e vuri përballë më të mirëve të kohës.
Ofertat që nuk u realizuan Pas shumë ndeshjeve të mira, Qemalit iu ofrua një mundësi që shumë do ta ëndërronin – të bashkohej me Galatasaray në Turqi. Kishte edhe familjarë atje që e ftonin të nisej. Por koha ishte tjetër: “Ishte e vështirë të lësh tokën dhe punën fizike. Mentaliteti ishte ndryshe. Mundësitë ishin të pakta dhe unë zgjodha të qëndroj.” 28 vjet zjarrfikës, 10 vjet lojtar, një jetë në shërbim të sportit dhe komunitetit.
Pas përfundimit të karrierës sportive, Qemali shërbeu si zjarrfikës në Preshevë për plot 28 vjet, 8 muaj, 8 ditë e 8 orë – një shifër që duket simbolike, por që flet për përpikërinë dhe përkushtimin e tij të rrallë.
Ai ishte dhe mbetet një njeri i përulur, larg politikës e zhurmës, i përkushtuar vetëm për sport, familje dhe komunitet. Mesazh për brezat e rinj Sot, Qemali jeton një jetë modeste, pa telefon inteligjent, por me kujtime të mëdha. Ai e kalon ditën duke lexuar, duke parë futboll dhe duke punuar në kopshtin e tij. “Rinia sot ka kushte më të mira, por mungon përkushtimi.
Ne punonim tokën gjithë ditën dhe në mbrëmje luanim. Sot shumë shikojnë telefona, por pak shkojnë në fushë.” Ai e sheh sportin si shpëtim për gjeneratat e reja dhe beson se një vend pa rini aktive nuk ka të ardhme. “Edhe këtu mund të jetohet. Duhet punë, jo vetëm ëndrra për ikje,” thotë ai me një ton atëror. Qemal Kamberi është më shumë se një futbollist i dikurshëm.
Ai është një dëshmitar i një kohe të ndershme, një burrë që e ruajti Vokrrin në fushë, i dha asist golit të vetëm ndaj Prishtinës dhe ia fali Preshevës një histori të paharruar. Një legjendë e heshtur, që meriton të kujtohet me krenari. Nëse historia e futbollit në Luginën e Preshevës do të shkruhej me ndershmëri, një kapitull i veçantë do të mbante titullin: “Zico i Luginës së Preshevës” – njeriu që ruajti Vokrrin, i dha asist golit të fitores, dhe jetoi si kampion i vërtetë e Lugina e Preshevës e kujton ate ndeshje historike edhe pse humbi me rezultat 3:1. Vokrri dhe Prishtina është në zemrën e Luginës së Preshevës.